Nis viti i ri shkollor në Qendrën Korrektuese të Dubravës

Nis viti i ri shkollor në Qendrën Korrektuese të Dubravës

Ka nisur viti i ri shkollor 2025/26 në Qendrën Korrektuese të Dubravës, përmes paraleles së ndarë “Rudina” të Shkollës së Mesme Teknike “Mit’hat Frashëri” nga Gurrakoci.

Në njoftim bëhet e ditur se me të gjitha përgatitjet paraprake të përfunduara nga personeli mësimdhënës, materialet shkollore, mjetet didaktike e deri te pajisjet teknologjike, procesi mësimor ka filluar me sukses.

Në këtë vit shkollor, në klasën e X janë regjistruar një numër i konsiderueshëm nxënësish, të cilët do të ndjekin mësimet në teori dhe praktikë nën kujdesin e stafit profesional.

“Arsimi dhe edukimi mbeten një nga shtyllat kryesore të procesit të risocializimit, duke i dhënë secilit individ mundësinë për zhvillim personal dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë. Përmes arsimit, nxënësit fitojnë aftësi, njohuri të dobishme dhe mbi të gjitha, besim në veten e tyre. Qendra Korrektuese e Dubravës, në bashkëpunim me Shkollën e Mesme Teknike “Mit’hat Frashëri” – paralelja “Rudina”, mbetet e përkushtuar që përmes edukimit të kontribuojë në riedukimin, integrimin dhe zhvillimin e të dënuarve”, thuhet tutje në njoftim.