Stamboll, përfundon konferenca me temë “Ga*za: Një Përgjegjësi Islame dhe Humanitare”

Një Përgjegjësi Islame dhe Humanitare”

Në Stamboll përfundoi konferenca me temën “Gaza: Një Përgjegjësi Islame dhe Humanitare”, e zhvilluar në bashkëpunim nga Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë dhe Fondacioni i Dijetarëve Islam të Turqisë, me pjesëmarrjen e 150 dijetarëve islam nga 50 vende, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.

Programi i mbajtur në sallën e konferencave “Ishulli i Demokracisë dhe Lirive”, mblodhi së bashku dijetarë nga e gjithë bota islame, me një pjesëmarrje të gjerë që shtrihej nga Kejptauni në Doha, nga Tirana në Zanzibar, duke mbuluar një sërë temash.

Me konferencën u synua mobilizimi i umetit musliman dhe të gjithë njerëzimit, ndalimi i sulmeve, hapja e korridoreve humanitare dhe ofrimi i të gjithë ndihmës së nevojshme për popullin e Gazës, krijimi i një aleance islame, parandalimi i gjenocidit, racizmit, të gjitha formave të shtypjes dhe shkeljeve të rënda të parimeve humanitare dhe morale si dhe krijimi i një “Hilf al-Fudul Humanitar” për të siguruar ndëshkimin e drejtë të autorëve të krimeve. (Hilf al-Fudul është një besëlidhje ose bashkësi e formuar në Mekën para-islamike për të parandaluar padrejtësinë).

Ndër objektivat ishte krijimi i një aleance ndërkombëtare institucionale të përbërë nga organizata të të drejtave të njeriut, parlamentare dhe humanitare, pengimi dhe parandalimi i përsëritjes së sulmeve në Gaza, krijimi i delegacioneve vizituese për krerët e shteteve për të arritur objektivat e konferencës dhe krijimin e një komiteti ose institucioni të përhershëm dhe të fuqishëm për të siguruar monitorimin dhe zbatimin e vendimeve të konferencës.

Konferenca forcoi ndihmën humanitare për Gazën përmes punëtorive, paneleve dhe konferencave për media si dhe përcaktoi përgjegjësitë ndërkombëtare.

Si pjesë e programit, dijetarët muslimanë janë planifikuar të lexojnë deklaratën përfundimtare pas namazit të xhumasë nesër në Xhaminë e Madhe Ajasofja.