OVL-UÇK kundërshton koncertin me këngëtarë serbë në Dragash/ Çka thotë kryetari Xheladini dhe organizatorët?

Një shtetas i Kosovës dënohet me 10 ditë burg në Mal të Zi për shkrimin e grafitit “UÇK”

Shtetasi i Kosovës, E.S. (22), është dënuar me 10 ditë burgim dhe ndalim hyrjeje për një vit në Mal të Zi, pasi kishte shkruar grafitin “UÇK” në qytetin bregdetar të Herceg Novit, transmeton Anadolu.

Sipas raportit të Radio Televizionit të Malit të Zi (RTCG), kosovari është ndaluar bashkë me tifozë të tjerë prizrenas nga policia malazeze rreth orës 16:00 pasi kishte bërë mbishkrimin ndërsa gjatë procedurës në gjykatë e ka pranuar veprën. Ai do ta vuajë dënimin në Drejtorinë për Ekzekutimin e Dënimeve Penale.

Grafiti për të cilin u arrestua kosovari përmbante shkrimin “ARPZ UÇK 1878”, ku “ARPZ” i referohet grupit të tifozëve të klubit të basketbollit Bashkimi nga Prizreni – Arpagjikëve ndërsa “UÇK” – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe viti 1878 – vitit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Gjykata për Kundërvajtje në Budvë, Divizioni Herceg Novi ka bërë të ditur se i pandehuri është sjellë në gjykatë rreth orës 21:30 dhe pas pranimit të veprës është dërguar menjëherë për ta vuajtur dënimin.

Para se autoritetet malazeze të merrnin këtë vendim, në territorin e Malit të Zi u ndalua fillimisht autobusi me tifozët e klubit Bashkimit, duke u vendosur nën mbrojtje policore pas reagimeve të disa qytetarëve të Herceg Novit. Në autobus ndodheshin 48 tifozë dhe dy shoferë.

Pas incidentit, klubi prizrenas Bashkimi, nënkampion i Kosovës në basketboll, ka reaguar duke kërkuar lirimin e tifozëve të ndaluar dhe reagim zyrtar nga Ambasada e Kosovës në Mal të Zi.

“Është e papranueshme që ‘Arpagjikët’ të ndalohen vetëm për një grafit me mbishkrimin UÇK. Ata nuk kanë kryer asnjë krim dhe po mbahen padrejtësisht. U bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse dhe Ambasadës së Kosovës të ndërhyjnë për lirimin e tyre”, shkroi klubi në reagim.

Tifozët e klubit prizrenas ndodheshin në tranzit përmes Malit të Zi, në kthim nga Italia, ku Bashkimi të mërkurën mbrëma kishte zhvilluar ndeshjen e dytë të Grupit J në FIBA Kupën e Evropës kundër klubit Pallacanestro Reggiana, e cila përfundoi me rezultatin 100:65 në favor të skuadrës italiane.

Pas ndalimit policor dhe bastisjes së autobusit nga autoritetet malazeze, përpos të burgosurit E.S., grupi i tifozëve “Arpagjikët”, u lirua dhe vazhdoi rrugën për në Prizren.