Një tjetër `marrëveshje` e Trump, Tailanda dhe Kamboxhia do të bëjnë paqe

Një tjetër `marrëveshje` e Trump, Tailanda dhe Kamboxhia do të bëjnë paqe

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje mes Tajlandës dhe Kamboxhias, e cila do të zhvillohet në fund të tetorit gjatë samitit të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Malajzi.

Lajmi u konfirmua nga ministri i Jashtëm malajzian, Hasan, i cili tha për agjencinë AFP: “Donald Trump mezi pret të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes së paqes.”

Konflikti i armatosur mes dy vendeve shpërtheu në fund të korrikut dhe zgjati pesë ditë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 43 personave dhe zhvendosjen e rreth 300,000 banorëve nga zonat kufitare.

Armëpushimi u arrit më 28 korrik, pas ndërhyrjes së Presidentit Trump, i cili paralajmëroi se SHBA nuk do të nënshkruante marrëveshje tregtare me vendet ndërluftuese nëse luftimet vazhdonin.

Pas presionit diplomatik dhe ekonomik nga Uashingtoni, tarifat për importet nga Tajlanda dhe Kamboxhia në SHBA u ulën nga 36% në 19% më 1 gusht. Megjithatë, që nga ajo kohë, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

Kryeministri tajlandez, Anutin Chanvirakun, deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të negociojë, por me disa kushte.

“Tajlanda është e gatshme të negociojë me Kamboxhian, por me kusht që të tërheqë armët e rënda nga zonat kufitare, të çminojë këto zona, të ndërmarrë veprime më të rrepta kundër qendrave të mashtrimit në internet dhe të largojë qytetarët e saj nga zonat kufitare të pretenduara nga Tajlanda.”

Mosmarrëveshjet mes dy vendeve kanë rrënjë historike, përfshirë edhe kontestin mbi tempullin hindu të shekullit të 11-të, Preah Vihear, si dhe kufirin tokësor prej 820 kilometrash të hartuar nga Franca në vitin 1907.

Samiti i 47-të i ASEAN, ku do të nënshkruhet marrëveshja, do të mbahet në Malajzi nga data 26 deri më 28 tetor. Malajzia mban këtë vit kryesinë e organizatës rajonale./rtsh