Në një takim trilateral ndërmjet Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Presidentit të Republikës Arabe të Sirisë, Ahmed Al-Sharaa, është arritur marrëveshja përmes së cilës Siria njeh Republikën e Kosovës, ndërsa të dy shtetet janë pajtuar të vendosin marrëdhënie diplomatike, përcjell KosovaPost.
Presidenca e Kosovës njofton se Osmani është angazhuar prej kohësh që të arrihet kjo njohje dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me aleatët dhe partnerët e Kosovës, në mënyrë që numri i njohjeve të rritet në vijimësi dhe që të forcohet pozita ndërkombëtare e Republikës së Kosovës.
Më poshtë gjeni deklaratën e plotë nga Presidentja Osmani:
Republika e Kosovës e mirëpret përzemërsisht njohjen nga Siria dhe deklaratën e Mbretërisë së Arabisë Saudite lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika Arabe e Sirisë.
Republika e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj të thellë për vendimin e Republikës Arabe të Sirisë për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe i shpreh falenderimet e saj Presidentit Ahmed al-Sharaa për lidershipin e tij dhe mbështetjen për popullin e Kosovës.
Ky është vërtet një vendim me rëndësi historike për të dy shtetet, Kosovën dhe Sirinë, i bazuar në respektin e ndërsjellë për luftën e gjatë për liri, në njohjen reciproke të sovranitetit, integritetit territorial dhe përkushtimit për bashkëpunim dypalësh dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit të Kurorës dhe Kryeministrit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud. Lidershipi dhe vizioni i tij e kanë bërë rezultatin e këtij takimi trepalësh një moment historik për popullin e Kosovës dhe për popullin e Sirisë.
Kjo marrëveshje e arritur sot në Riad, Mbretërinë e Arabisë Saudite, me mbështetjen dhe udhëheqjen e Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit të Kurorës dhe Kryeministrit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, është poashtu një njohje e vuajtjeve dhe sakrificës së popujve tanë për liri, si dhe shenjë e përkushtimit më të lartë për të mbështetur njëri-tjetrin në arenën ndërkombëtare dhe përmes marrëdhënieve dypalëshe.



Të tjera
Gjërat që ju qojnë në pagjumësi
Kurti pritet nga Macron në darkën solemne të Forumit të Paqes në Paris
Tri njohje të reja për vendin tonë brenda këtij viti