Kompania Noa Energy Trade ka reaguar pas raportimeve në media që e lidhin me kompani nga Serbia, duke theksuar se këto pretendime janë të pavërteta dhe të pabazuara, përcjell KosovaPost.
Në një deklaratë zyrtare, kompania thotë se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë marrëdhënie tregtare apo bashkëpunim me asnjë kompani nga Republika e Serbisë dhe se të gjithë partnerët e saj janë kompani të regjistruara dhe të licencuara në shtete të Bashkimit Evropian, që operojnë në përputhje me standardet evropiane të tregut të energjisë.
“Noa Energy Trade mbetet një subjekt i pavarur tregtar, pa ndikim apo përkatësi politike në Kosovë, Serbi apo në ndonjë juridiksion tjetër. Çdo pretendim për lidhje me kompani serbe apo ndikim politik përbën dezinformim me qëllim dëmtimi,” thuhet në deklaratë.
Në deklaratë thuhet se Bordi Drejtues i kompanisë ka vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të nevojshme, përfshirë paditë civile dhe kallëzimet penale, kundër çdo personi ose subjekti që publikon informacione të rreme ose të njëanshme, duke cenuar reputacionin dhe interesat ekonomike të kompanisë.
kjo kompani bën thirrje për hetime të plota nga organet kompetente, për të verifikuar motivet dhe interesat pas keqinformimit dhe për të garantuar që çdo përgjegjës të përballet me ligjin.
Reagimi i plotë:
Deklaratë zyrtare për shtyp lidhur me keqinformimin e opinionit publik
7 Janar 2026
Noa Energy Trade shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me fushatën e vazhdueshme të akuzave të pabazuara dhe keqinformimit publik të ushtruar nga disa media dhe individë të caktuar, të cilat gjatë muajve të fundit kanë cenuar rëndë reputacionin, integritetin profesional dhe interesat ekonomike të kompanisë sonë.
Theksojmë se Noa Energy Trade ka vepruar dhe vazhdon të veprojë në përputhje të plotë me të gjitha dispozitat ligjore dhe rregullative në Republikën e Kosovës, si dhe me obligimet kontraktuale të marra ndaj institucioneve dhe partnerëve tanë. Çdo pretendim që sugjeron shkelje ligjore apo veprime të jashtëligjshme nga ana e kompanisë sonë është i pavërtetë, i paargumentuar dhe përbën shkelje te rende te interesave tona në kuptim të legjislacionit në fuqi.
Në këtë kontekst, Bordi Drejtues i Noa Energy Trade ka marrë vendim zyrtar për t’u drejtuar organeve kompetente të drejtësisë dhe për të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të nevojshme, përfshirë ngritjen e padive civile dhe, kur është e aplikueshme, kallëzimeve penale ndaj çdo personi apo subjekti tjetër që, përmes publikimit të informatave të rreme, të pasakta apo tendencioze, ka cenuar apo vazhdon të cenojë emrin, imazhin dhe interesat tona ekonomike. Këto veprime do të ndërmerren në përputhje me legjislacionin përkatës qe denon keto akuza dhe informacione te rreme, dëmtim reputacioni, konkurrencë të padrejtë dhe qe kerkon përgjegjësi për dëmet e shkaktuara.
Po ashtu, deklarojmë në mënyrë të prerë se Noa Energy Trade nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë marrëdhënie tregetare apo bashkëpunim me asnjë kompani nga Republika e Serbisë. Sqarojmë për transparencë të plotë se të gjithë partnerët tanë janë kompani të regjistruara dhe të licencuara në shtete të Bashkimit Evropian, duke operuar në përputhje me standardet evropiane të tregut të energjisë.
Në të njëjtën kohë, hedhim poshtë kategorikisht çdo insinuatë për lidhje politike të Noa Energy Trade, qoftë në Republikën e Kosovës, në Serbi apo në ndonjë juridiksion tjetër ku kompania jonë ushtron aktivitetin e saj. Noa Energy Trade është dhe mbetet një subjekt i pavarur tregtar, pa asnjë përkatësi apo ndikim politik, dhe çdo pretendim i kundërt përbën dezinformim me qëllim dëmtimi.
Noa Energy Trade rezervon të drejtën që, përveç mjeteve juridike, të kërkojë edhe dëmshpërblim të plotë për çdo humbje financiare, dëmtim reputacional apo pasoja të tjera që rrjedhin nga publikime të pavërteta ose të njëanshme. Kompania jonë u bën thirrje mediave që të respektojnë standardet profesionale të gazetarisë, parimin e verifikimit të fakteve dhe dispozitat ligjore që rregullojnë informimin e publikut.
Në këtë kontekst, Ne ftojmë organet kompetente ligjzbatuese të kryejnë hetime të plota dhe të thelluara për të vërtetuar motivet e fshehura, lidhjet e mundshme dhe interesat e errëta që mund të qëndrojnë pas këtij sulmi, duke garantuar që çdo përgjegjës të përballet me ligjin në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ne mbetemi të përkushtuar ndaj transparencës, ligjshmërisë dhe bashkëpunimit institucional, si dhe ndaj mbrojtjes së të drejtave tona përmes të gjitha mekanizmave ligjorë të parashikuar nga ligji.
Me respekt,
NOA Energy Trade



Të tjera
Uji në shumicën e komunave i përmbush standardet për konsum
Zgjedhjet në Kosovë tregojnë se demokracia është stabile
Mënyra të thjeshta për të lehtësuar dhimbjet e forta gjatë ciklit menstrual