Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, në emisionin “Info Nata” në Tëvë1 ka komentuar skenarët e mundshëm pas datës 8 gusht, lidhur me zhvillimet politike dhe vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Fillimisht duhet të shohim se çfarë do të thotë vendimi i radhës i Gjykatës Kushtetuese, mirëpo paralelisht me këtë duhet tërhequr disa momente nga moskonstituimi i Kuvendit dhe një perspektivë se si e shoh këtë çështje”, u shpreh Rexhaj.
Ai theksoi se akti i konstituimit të Kuvendit duhet të ishte solemn, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, që cakton një afat 30-ditor për këtë proces.
“Mendoj që të gjithë ata që janë marrë me interpretime me lehtësi, do të duhej që të respektohej afati për konstituimin e Kuvendit”, tha ai.
Sa i përket dështimit të bashkëpunimit me Nismën Socialdemokrate, Rexhaj tha se shkaku ka qenë kërkesa e tyre për postin e kryeparlamentarit.
“Mendoj që ka kaluar koha kur subjektet e treta apo të pesta merrnin atë që nuk u takonte. Nisma kishte kërkesë që posti i kryetarit të Kuvendit t’u takonte atyre, edhe pse kanë vetëm tre deputetë”, tha Rexhaj, duke shtuar se një veprim i tillë do të ishte i papërgjegjshëm dhe joparimor.
“Ne i kemi ofruar Nismës që të vijë me neve në qeveri dhe të udhëheqë vendin, por ata kanë insistuar në postin e kryeparlamentarit, çka e bën të pamundur bashkëpunimin”, përfundoi ai.



Të tjera
Imami Labinot Maliqi mirëpriti zyrtarë të lartë amerikanë në fillim të vitit 2026
Ide brilante, ku t’i fshihni sendet me vlerë në shtëpi
Homazhe në Kuvendin e Kosovës për ish-kryetarin Nexhat Daci