Mexhiti: Nuk do të kthehem në BDI edhe nëse nuk bëhem lider i VLEN-it

Nuk do të kthehem në BDI edhe nëse nuk bëhem lider i VLEN-it

Në emisionin “Debat në Shenja”, i ftuari i radhës ka qenë kryetari i komuës së Çairit Izet Mexhiti.

Mexhiti është shprehur se votuesit shqiptarë kanë vlerësuar punën, angazhimin, përkushtimin dhe jo fjalët boshe dhe kjo ka dhënë një mesazh për politikën dhe partitë politike. Sipas Mexhitit kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në zgjedhjet lokale ka bërë dy gabime strategjike.

IZET MEXHITI, KRYETARI I KOMUNËS SË ÇAIRIT-05:34

‘’E para që gjashtë-shtatë komuna ua ndau Aleancave, atë të Taravarit dhe të Selës, që sot shihet se janë rezultati me zero, asnjë nuk kanë fitu, ua fali.  Dhe çështja e dytë nuk tha se në komunat tjera do të fitojmë dhe do të bëjmë garë në Tetovë dhe Çair, po ai tha se mua më intereson Tetova dhe Çairi, me theks Çairi, të tjerat janë pak të rëndësishme, dhe ne këtu e pritëm këtë sfidë -u ballafaquam dhe në Çair dhe në Tetovë bindshëm fitoi VLEN-i’’.

I pyetur se kush do të jetë kryetari i koalicionit VLEN, Mexhiti theksoi se kanë vendosur ta bëjnë VLEN-in në mënyrë spontane, prej poshtë lartë,duke kontribuar në atë mënyrë që në vazhdimësi të flitet për VLEN-in, dhe jo për subjektet individuale. “Pra dalëngadalë vijmë deri te unifikimi i shëndetshëm i VLEN-it, duke përfunduar edhe me nje lider”, tha Mexhiti.

I pyetur nëse nuk bëhet lideri i VLEN-it, a do të ishtë kthyer në BDI, Mexhiti tha se për të, kapitulli i BDI-së është i mbyllur.

IZET MEXHITI, KRYETARI I KOMUNËS SË ÇAIRIT-52:25

‘’E dyta që dua të them këtu në emision unë në VLEN nuk kam shku me kusht që të bëhem lider a jo, mua më ka interesu të kontribuoj në unifikimin e opozitës shqiptare, sjelljen e konkurrencës në kampin politik shqiptar, sjelljen e ndryshimit tek shqiptarët dhe më mjafton edhe kështu siç jam. As kam hy me kusht që të bëhem lider, as sot nuk kam asnjë kushti për lider. Edhe nëse nuk do jem lider unë do jem pjesë e VLEN-it dhe kontribues i VLEN-it’’.

Mexhiti ka theksuar se në BDI nuk mund të ndodhin reformat të vërteta, pasi sipas tij, lëvizjet e fundit janë improvizime. Ndërkaq ai u shpreh se gjëja më e keqe tani është se BDI këtë nuk e kanë humbje, por e kanë  humbur shpresën për rikthim.