Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch e konsideron absurde kërkesën e Prokurorisë për dënim me burgim nga 45 vjet për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai thotë se nuk ka prova që argumentojnë pretendimet e ZPS-së për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Në një intervistë për KosovaPress, nga Haga, Bosch thekson që pret nga trupi gjykues të shpallë të pafajshëm dhe t’i lirojë në mungesë provash.
Të hënën kanë filluar parashtrimet përfundimtare në procesin më të madh gjyqësor në Speciale.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest ka kërkuar dënimin me nga 45 vjet burgim për Thaçin dhe të tjerët.
Ndërkaq, ekipet mbrojtëse kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës, duke thënë se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së.
Ish-ambasadori holandez, Robert Bosch thotë se nuk është e vërtetë që Ushtria Çlirimtare ka qenë kriminale, në të kundërtën shton se nuk do të bashkëpunonte NATO.
“45 vite dënim me burg bazuar në çfarë? Dua të them, më vjen shumë keq. Nuk mund ta kuptoj fare sepse, siç e dini, ky proces po zgjat prej mjaft kohësh dhe ka pasur shumë dëshmitarë, e shumë prej tyre e kanë minuar vërtet atë që thoshte prokuroria. Ajo që nuk kuptoj te prokuroria është se ata duken sikur janë thjesht armiq të atyre katër personave. Duket sikur janë aty vetëm për t’i dënuar me çdo kusht. Normalisht do të thoshit: “Dakord, kemi një proces, ata janë të akuzuar”. Unë nuk jam jurist, por ata janë të akuzuar, pastaj vijnë shumë dëshmitarë dhe ti mendon: “Oh, ndoshta nuk është aq keq sa mendonim”. Kjo do të ishte normale. Dhe tani, në fakt, ata e bënë edhe më keq. Ata ende thonë se UÇK-ja ishte një organizatë kriminale, gjë që nuk është e vërtetë dhe është vërtetuar se nuk është e vërtetë. Nuk ishte organizatë kriminale sepse unë vetë kam qenë i përfshirë personalisht në vitin 1999 me qeverinë holandeze dhe NATO-n. Dhe natyrisht, ne e dinim që po përdornim UÇK-në si trupa të NATO-s në terren. Dhe ajo, sigurisht, nuk ishte organizatë kriminale, përndryshe nuk do të bashkëpunonim me ta. Ata punuan për ne. Pra, ajo që ky prokuror po thotë de fakto, është se NATO po bashkëpunonte me një organizatë kriminale, gjë që sigurisht nuk është e vërtetë. Dhe përsëri, Clark dhe të gjithë dëshmitarët e tjerë e kanë konfirmuar që ky nuk ishte rasti”, deklaron Bosch.
Trupi gjykues i cili udhëhiqet nga gjyqtari Çarls Smith, sipas diplomatit holandez, duhet të jetë neutral në vendimin ndaj të akuzuarve.
“Gjykatësit duhet të jenë neutralë. Ata nuk janë e njëjta gjë me prokurorinë. Ndaj shpresoj dhe duhet të besoj se gjykatësit janë vërtet objektivë. Mendoj se nëse janë objektivë, do të thonë se prokuroria ka një rast shumë të dobët. Sipas mendimit tim, ata do ta hedhin poshtë të gjithë çështjen duke thënë: “Dëgjoni, është një rast shumë i dobët” dhe pastaj ose i lironi për mungesë provash të forta, ose thoni se nuk kanë të bëjnë fare me këtë. Do të habitesha dhe mendoj se gjykata do ta komprometonte veten… dua të them gjykatësit, natyrisht nuk duhet të ushtroj presion mbi ta, por unë besoj se janë njerëz të ndershëm. Në atë rast, bazuar në atë që kam parë, ata nuk mund t’i dënojnë këta njerëz. Nuk mundet. Do të ishte shumë e çuditshme nëse do të shkonin pas prokurorisë”, shton ai për KosovaPress.
Për kërkesën e ZPS-së për dënim me nga 45 vjet për ish-krerët e UÇK-së, kanë reaguar liderë të Kosovës e të rajonit.
Edhe Bosch thotë se kjo është kërkesë absurde, meqë konsiderohet burgim i përjetshëm.
“Kjo është absurde sepse është e barabartë me dënim të përjetshëm. Nëse qëndrojnë 45 vite brenda, ata nuk mbijetojnë dot, do të vdesin në burg. Pra është dënim i përjetshëm. Siç e thashë, është një kërkesë absurde. Por është absurde edhe sepse ka shumë pak prova. Është edhe më e çuditshme të kërkosh diçka të tillë kur ka pak prova. Edhe nëse UÇK-ja do të ishte organizatë kriminale dhe Thaçi do të ishte kreu e do të jepte udhëzime – gjë që është provuar se nuk është e vërtetë – përsëri 45 vite është shumë. Sidoqoftë, unë duhet t’u besoj gjykatësve. Ajo që i frikësohem është se, nëse gjykatësit e bëjnë punën e tyre siç duhet (i lirojnë), prokuroria mund të apelojë kundër lirimit, që do të thotë se procesi do të vazhdojë edhe për vite e vite të tëra”, thekson ish-ambasadori i Holandës në Kosovë.
Në Prishtinë do të protestohet në përvjetorin e 18-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, me moton “Drejtësi, Jo Politikë”.
Ish-ambasadori Robert Bosch thotë se kjo është e nevojshme, meqë Kosova po fyhet me pretendimet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është kriminale.
“Protestat janë perfekte për sa kohë nuk janë të dhunshme. Nuk më pëlqejnë protestat e dhunshme si ajo që patët në Tiranë javën e kaluar, por protestat janë në rregull. Në këtë rast ka vend për protestë, sepse ta quash UÇK-në organizatë kriminale është fyerje për vendin tuaj. Është fyerje. Sepse nëse shikoni tani në Serbi, që ishte përgjegjësja kryesore për të gjithë problemin fillimisht, shumë njerëz që ishin të përfshirë janë ende aty. Mendoj se kreu i ushtrisë së tyre është një nga njerëzit që ishte i përfshirë në vrasjet në Kosovë. Ata kanë shumë njerëz që rrinë aty dhe qeshin. Daçiq dhe Vuçiq ishin gjithashtu të përfshirë në mënyrë të ngjashme si Thaçi – ata nuk vrisnin njerëz me dorë, por ishin ministra të propagandës. Ata po ndihmonin vërtet Millosheviçin. Atëherë si ka mundësi që ata ulen atje rehat? Pse nuk janë ata 45 vite në burg? Sepse ata kanë bërë pak a shumë gjëra të ngjashme me ato që pretendohet se ka bërë Thaçi. Thaçi po promovonte UÇK-në si lëvizje çlirimtare, ndërsa këta po promovonin politikat e Millosheviçit për Serbinë e Madhe në kurriz të shqiptarëve në Kosovë dhe boshnjakëve në Bosnjë. Por ata janë atje”, thekson Bosch.
Ish-ambasadori holandez, Robert Bosch flet edhe për krijimin e institucioneve të reja, për çka thotë se Kosova humbi shumë fonde nga Bashkimi Evropian e Banka Botërore.
“Është mirë që tani ka një qeveri stabile, sepse vitin e kaluar kur de fakto nuk kishte qeveri, nuk ishte mirë sepse humbët shumë para nga BE-ja dhe Banka Botërore. Duhet të keni qeveri stabile. Tani e keni, le të shpresojmë që do të bëjnë punë të mirë. Do ta shohim….Sipas meje, prioriteti është të punohet për ekonominë. Ky është prioriteti kryesor…Nuk e di. Pres që të bëjnë punë të mirë, sepse këtë duhet të bëjë një qeveri. Edhe ne në Holandë do të kemi qeveri të re javën e ardhshme. Çfarë pres? Pres të bëjnë punë të mirë. Por do të presim e do të shohim; ata duhet ta meritojnë besimin përmes veprimeve të tyre. Le të shpresojmë që veprimet të jenë të mira”, shprehet ai.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të hënën do të vijohet me parashtrimet përfundimtare të ekipit mbrojtës të Jakup Krasniqit. Më pas radha është e trupit gjykues dhe Zyres së Prokurorit të Specializuar e mbrojtës të viktimave.
Të mërkurën do t’i drejtohen trupit gjykues me nga 20 minuta edhe ish-kerët e UÇK-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.



Të tjera
E konfirmon Hoxha: Osmani dhe Begaj pjesëmarrës në marshin “Drejtësi, jo politikë”
Në marshin “Drejtësi, jo politikë” do të interpretojnë Ilir Shaqiri, Lyrical Son dhe Arbnora Zogjani
Pjesëmarrja në Konferencën e Sigurisë në Mynih, hap i rëndësishëm për forcimin e aleancave