Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, dukë ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurve Istref Bajrami, Liridon Hajrizaj dhe Enver Hasani, të cilët u arrestuan lidhur me kultivimin e narkotikëve në Sferkë të Pejës.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin me të cilin iu caktua paraburgimi të dyshuarve.
Në seancën dëgjimore, prokurori i shtetit Ersan Qavolli, ka deklaruar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit do të kryenin veprat penale, me të cilat ngarkohen. Tre të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, poseidmi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Ndërkaq, i pandehuri Bajrami dyshohet edhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Sipas vendimit, prokurori ka deklaruar se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit.
Po ashtu, Qavolli, citohet se ka thënë se nëse të pandehurit lihen në liri, mund të ndikojnë në dëshmitarë apo asgjësim të provave, dhe përfundimin apo përsëritjen e veprave penale.
“Kësaj duhet shtuar edhe faktin se i pandehuri Istref Bajrami në mënyrë të vazhdueshme kalon vijën kufitare me shtetin e Maqedonisë për të shkuar në Greqi. Po ashtu i pandehuri Liridon Hajrizaj në mënyrë të vazhdueshme kalon vijën kufitare në Bërnjak, ku futet në Serbi, gjersa i pandehuri Enver Hasani ka kalime kufitare në Republikën e Shqipërisë, e që dihet fare mirë se si eshtë bashkëpunimi me Serbinë”, citohet të ketë deklaruar prokurori.
Prokurori Qavolli, theksoi edhe fakte të tjera, të paraqitura edhe në dosjen e kërkesës për caktim të masës së paraburgimit.
Në anën tjetër, i pandehuri, Istref Bajrami, ka deklaruar se e përkrah fjalën e mbrojtësit të tij Gani Shala, dhe ka kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit.
“Në kërkesën e tij, nuk ka elaboruar prova shfajësuese, ndërsa fakti që e kaloj kufirin është sepse punon si vozitës. Po ashtu, ka qenë jashtë, dhe në korrik të vitit të kaluar është kthyer në Kosovë”, citohet të ketë deklaruar Istref Bajrami.
Në anën tjetër, i pandehuri Enver Hasani, ka deklaruar se përkrah fjalën e mbrojtëses së tij, Filloreta Hoxha Zymberaj.
“Sa i përket çështjes së të kaluarës kriminale, për atë vepër është liruar tërësisht nga Gjykata e Gjakovës, s ai përket çështjes së personave tjerë që janë të akuzuar në këtë çështje penale asnjërin nuk e njeh, përveç këtu dy të pandehurit, të cilët i ka shokë dhe nuk është fare i përfshirë në këtë çështje penale”, thuhet në vendim.
Mbrojtësi i të pandehurit Istref Bajrami, avokati Gani Shala, ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit. Shala, ka thënë se për të pandehurin Bajrami, nuk ka asnjë dëshmi materiale apo personale se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.
“Për më tepër me aktvendimin për fillim të hetimeve dhe për propozimin për caktimin e paraburgimit, nuk është elaboruar asnjë nga dëshmitë për të cilat do të bindem se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet. Dëshmitë dhe provat materiale me aktvendim për fillim te hetimeve dhe kërkesën për caktim të paraburgimit, vetëm janë listuar pa u caktuar saktësisht se në bazë të cilave provave materiale apo personale qëndron dyshimi i bazuar”, citohet se deklaroi avokati Shala.
Kërkesa e Prokurorisë për caktim të paraburgimit, u kundërshtua edhe nga Kadri Prekaj, avokat i të pandehurit Liridon Hajrizaj.
“Pretendimi i prokurorit të shtetit se me gjetjen e te pandehurit në liri, ekziston rreziku se i njëjti mund të arratiset dhe të pengojë rrjedhën normale të procedurës hetimore, nuk qëndron. Pasi që i njëjti qysh në fazën e arrestimit dhe procedimit në stacion policor, është treguar bashkëpunues me organet e hetuesisë, ai ka një adresë te njohur me vendbanim të përhershëm ne fsh. Novoselle, K. Pejë, është shtetas i R. Kosovës dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë që do të justifikonte frikën për arratisje”, citohet se deklaroi avokati Prekaj. Po ashtu, sipas vendimit, ka kundërshtuar pretendimin e prokurorit që Hajrizaj, mund të përsëris veprën penale pasi sipas Prekajt, Prokuroria nuk ka dëshmi për ta argumentuar.
“Nga provat e paraqitura nga prokuroria, mungon një vlerësim objektiv dhe i bazuar në prova të mjaftueshme dhe te ligjshme që e lidhin të dyshuarin në mënyrë të drejtëpërdrejtë me veprën penale, sa i përket pretendimit të prokurorit të shtetit se me gjetjen e te pandehurit në liri, ekziston rreziku se i njëjti mund të arratiset si dhe bazuar në deklarimin e tij ne këtë seancë, se i njëjti nuk ka vendbanim, ky fakt nuk qëndron. Ai ka një adresë te përhershme në fsh. Brovine, K. Gjakovë, është shtetas i R. të Kosovës dhe i njëjti qysh ne fazën e arrestimit dhe procedimit në st. Policor, është treguar bashkëpunues me organet e policisë dhe prokurorisë dhe se nuk ka asnjë fakt që do të justifikonte frikën e arratisjes”, citohet se deklaroi avokatja Hoxha Zymberaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake gjeti se kërkesa e prokurorit të shtetit është e bazuar. Sipas Gjykatës, me lënien e të pandehurve në liri ekziston rreziku se me ndodhjen e të pandehurve në liri, të njëjtit mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar në dëshmitarë.



Të tjera
Kosova mëson kundërshtarët e mundshëm për grupet e Kupës së Botës
Haradinaj nominohet nga AAK për kryeministër
Birra e rritë numrin e spermatozoideve