Kurti: Nuk pranojmë të rishkruajmë historinë

Nuk pranojmë të rishkruajmë historinë

Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalimit në ceremoninë e parakalimit të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, tha se në këtë ditë feste nuk i mbyllin sytë para padrejtësive.

 

“Disa nga drejtuesit e luftës tonë çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë, në procese gjyqësore jo transparente dhe krejt të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë të rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar çlirimtare dhe antikolonialiste, një luftë e drejtë e një populli të okupuar e të shtypur, dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshohet asnjëherë nga askush dhe nga asgjë”, tha Kurti.

Shefi i Qeverisë, tha se liria e Kosovës nuk filloi atë ditë, para 18 vitesh, por tha se ajo është ngjizur shumë më herët  me përpjekjen e pareshtur ndër breza.

“Me luftën e drejt të UÇK-së e cila bashkë me bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviqit i dha fund një regjimi shtypës dhe  hapi rrugë shtetësisë”.

Ai tha se sot përulen para dëshmorëve të kombit dhe të rënëve për liri. “Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë, por themelet e Republikës.

Shefi i ekzekutivit tha se Kosova e vitit 2026 është një shtet më i fortë dhe më i sigurt se kurdo më parë gjatë këtyre 18 viteve pavarësi.

Kreu i Qeverisë tha se në vitet e fundit shpenzimet për ushtri janë shumëfishuar e numri i ushtarëve të FSK-së është rritur.

“Investimi për blerje të pajisjeve është mbi 450 milionë euro, investime këto të drejtpërdrejta në armatim modern, automjete ushtarake, municion të mjaftueshëm dhe sisteme të komunikimit. Ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe 5 vendbanime të reja në lokacione strategjike dhe jemi duke investuar në zhvillimin e zonës kryesore të trajnimit në Babaj të Bokës në Gjakovë, si dhe në ndërtimin e infrastrukturë në të gjitha kazermat”.

Kurti tha se filluan zhvillimin e industrisë së mbrojtjes me fabrikën e prodhimit të municioneve dhe projekte të tjera që paralajmëroi se po vijnë që tha se do të kontribuojnë në vetë qëndrueshmërinë e institucioneve të sigurisë, por edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Kurti deklaroi se janë zgjeruar partneritetet strategjike me SHBA e vendet e NATO-s, derisa tha se për sigurinë rajonale po forcojnë bashkëpunim me Shqipërinë e Kroacinë.

“FSK po zhvillohet si një ushtri profesionale e gatshme për të mbrojtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe jetën e qytetarëve të Kosovës.

Ai tha se Policia e Kosovës vazhdon të jetë një nga institucionet më të besueshme të shtetit.

“Ajo garanton rendin e ligjit çdo ditë, në secilën komunë e në çdo cep të Republikës”, tha ai.

Shefi e ekzekutivit tha se parada e sotme nuk është demonstrim force përballë ndokujt. “Ajo është dëshmi e modernizimit dhe pjekurisë së shtetit tonë, e aftësisë sonë për të mbrojtur vetën dhe për të kontribuuar në paqen rajonale e botërore”.