Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që i hap rrugën krijimit të shtetit të Palestinës. Deklarata u iniciua nga Arabia Saudite dhe Franca dhe kërkon një zgjedhje të konfliktit “mes dy shteteve të Izraelit dhe Palestinës”.
Megjithatë në deklaratë theksohet përjashtimi i Hamasit, ku dënohen sulmet e tyre ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 që çuan edhe në nisjen e luftës, ndërsa dënohen gjithashtu dhe sulmet e Izraelit ndaj civileve dhe infrastrukturës në Gaza.
Kjo deklaratë u votua pro me shumicë dërrmues prej 142 votash dhe 10 kundër mes të cilëve ishin edhe SHBA dhe Izraeli. 12 vende votuan abstenim për rezolutën, mes të cilëve ishte edhe Shqipëria.
Rezoluta jo-detyruese që mbështet “Deklaratën e Nju Jorkut” përcakton një plan me faza për t’i dhënë fund konfliktit gati 80-vjeçar.
Para votimit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se “nuk do të ketë shtet palestinez”.
Riyad Mansour, ambasadori palestinez në OKB, tha se mbështetja për rezolutën pasqyron “dëshirën e pothuajse të gjithëve, të bashkësisë ndërkombëtare, për të hapur derën për mundësinë e paqes”.
Pa e përmendur Izraelin, ai tha: “Ne ftojmë një palë që ende po shtyn përpara opsionin e luftës dhe shkatërrimit, dhe që përpiqet të eliminojë popullin palestinez dhe të vjedhë tokën e tyre, të dëgjojë tingullin e arsyes – tingullin e logjikës së trajtimit të kësaj çështjeje në mënyrë paqësore, dhe për mesazhin mbizotërues që ka rezonuar në këtë Asamble të Përgjithshme sot.”
Por ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, e hodhi poshtë rezolutën si “teatër”, duke thënë se përfituesi i vetëm është Hamasi.
“Kjo deklaratë e njëanshme nuk do të mbahet mend si një hap drejt paqes, por vetëm si një tjetër gjest i kotë që dobëson besueshmërinë e kësaj asambleje”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara, aleati më i ngushtë i Izraelit, përsëritën kundërshtimin e tyre ndaj Deklaratës së Nju Jorkut dhe rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme që mbështet zbatimin e zgjidhjes me dy shtete.
“Rezoluta është një tjetër marifet publiciteti i gabuar dhe në kohën e gabuar që minon përpjekjet serioze diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit. Mos u gaboni, kjo rezolutë është një dhuratë për Hamasin”, tha këshilltarja e Misionit Amerikan Morgan Ortagus.
Të tjera
Serbi i arrestuar dje për krime lufte dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 71 civilëve shqiptarë në Vushtrri
BE-ja ‘harron’ agresioni e Serbisë mbi Kosovën, ‘kukat’ mbylljen e zyrave paralele serbe
Kina dhe Rusia me aleatë po ndryshojnë rendin botëror