Prokuroria suedeze në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, kanë kryer një operacion ndaj një personi i dyshuar për krim të organizuar, pastrim të parave dhe përdorim të lëndëve narkotike.
Një person është arrestuar të enjten në zonën e Göteborgut, në kuadër të një operacioni të gjerë kundër krimit të organizuar, të zhvilluar nga disa institucione shtetërore suedeze. I dyshuari ndodhet tani në paraburgim dhe akuzohet për vepër penale trafikim të narkotikëve si dhe për pastrim parash.
Paralelisht me arrestimin në Suedi, janë kryer kontrolle dhe bastisje në Kosovë, ku me mbështetjen e policisë dhe prokurorisë janë sekuestruar pasuri të konsiderueshme, përfshirë prona të paluajtshme, shuma të mëdha parash të gatshme dhe një automjet.
Sipas autoriteteve suedeze, gjatë operacionit janë siguruar prova edhe në Suedi, përfshirë objekte me vlerë dhe materiale digjitale, të cilat do të shërbejnë për vazhdimin e hetimeve dhe analiza më të thelluara të rrjedhave financiare.
Operacioni i koordinuar është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Kosovës, bashkëpunim që autoritetet suedeze e kanë cilësuar si vendimtar për suksesin e aksionit.
“Jemi në ofensivë në punën për konfiskimin e pasurive dhe po përdorim legjislacionin e ri për të goditur asetet brenda dhe jashtë vendit. Bashkëpunimi me Prokurorinë Speciale të Kosovës ka qenë shumë profesional dhe me gatishmëri të plotë, gjë që na ka mundësuar të sekuestrojmë prona, para të gatshme dhe një automjet në këtë rast”, ka deklaruar prokurori shtetëror Daniel Larson nga Autoriteti Suedez për Krime Ekonomike.
Autoritetet suedeze bëjnë të ditur se ndërhyrja e së enjtes është rezultat i një hetimi afatgjatë, ku kanë bashkëpunuar disa institucione me qëllim goditjen dhe pengimin e krimit të organizuar, si dhe konfiskimin e fitimeve të paligjshme, si brenda Suedisë ashtu edhe jashtë saj.
“Krimi nuk duhet të shpërblehet dhe nuk ka rëndësi nëse dikush përpiqet t’i fshehë fitimet kriminale jashtë vendit. Ne i gjejmë ato dhe synimi ynë është t’i konfiskojmë”, ka theksuar Tomas Stakeberg Jansson, shef i policisë në rajonin Perëndimor të Suedisë.
Hetimet paraprake po udhëhiqen nga prokurorët shtetërorë Daniel Larson nga Autoriteti për Krime Ekonomike dhe Håkan Larsson nga Njësia Kombëtare kundër Krimit Ndërkombëtar dhe të Organizuar (RIO), në kuadër të Prokurorisë Suedeze.



Të tjera
Disa mënyra të parandalimit të prekjes nga aritmia
Osmani falënderon SHBA-në për mbështetjen ndaj sovranitetit të Kosovës
Presidentja ngushëllon familjen dhe komunitetin artistik për ndarjen nga jeta të Shemit