Operacioni sekret në Siri, nxirret nga kampi shqiptarja Eva Dumani, mbërrin sot në Rinas

Operacioni sekret në Siri, nxirret nga kampi shqiptarja Eva Dumani, mbërrin sot në Rinas

Në sekret të plotë qeveria shqiptare në bashkëpunim me partnerët ka mundur të sjellin në Shqipëri një vajzë e cila prej shumë vitesh ishte në një kamp në Siri.

Ajo është Eva Dumani e cila nuk pranoi të vinte në Shqipëri disa vite më parë kur u ndërmor një mision evakuimi përmes të cilit u kthyer i vëllai.

Burime qeveritare I thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se në këtë operacion disa javor, është përfshirë Drejtoria në Marrëdhëniet me Jashtë në Policinë e Shtetit, zyrtarë të Antiterrorit të ndihmuar nga autoritetet turke.

Eva Dumani ka mbërritur paraditen e sotme nga Turqia në aeroportin e Rinasit. Eva dhe Endri Dumani, ishin dy prej 80 fëmijëve dhe grave të mbetur në kampin Al Haël në Siri, pas rënies së shtetit islamik.

Ata mbetën të vetëm pasi gjyshja e tyre Mendije Dumani që kujdesej për ta, ndërroi jetë.

Një shqiptar në Siri që në Facebook shfaqet me emrin Amar El Albani përmes një statusi në Facebook ka treguar momentet e fundit të Mendije Dumani e cila shkoi në Siri për të shpëtuar Evën sot 14 vjeçe dhe Endrin 12 por nuk ia doli.

“Gjendja e saj ishte përkeqësuar edhe më shumë dhe ata (kurdët) nuk kishin asnjë shqetësim për ta hedhur atë në tokë pranë pazarit duke i thirrur motrat “merreni motrën tuaj. Askush nuk e dinte në fillim se kush ishte, ose ku ishte çadra e saj derisa një motër e njohu dhe na informoi se ajo ishte motër shqiptare”, shkruante ai./TCH/