Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot takime të ndara me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në kuadër të konsultimeve për situatën e krijuar pas rrëzimit të Qeverisë Kurti.
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka konfirmuar se në takim Krasniqi i ka përsëritur Presidentes qëndrimin e qartë të këtij subjekti se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë.
“Sot pasdite, Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është takuar me Presidenten Osmani për t’ia përsëritur qëndrimin e qartë dhe parimor të PDK-së, tashmë të bërë publik edhe përmes komunikatës zyrtare, se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë. Në këtë rrethanë, çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm një përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që vetëm do ta thellonte krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione”, ka deklaruar Abdullahu.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është takuar sot me Presidenten Osmani. Zëdhënësi i këtij subjekti, Besian Mustafa, ka bërë të ditur se në takim Abdixhiku ka paraqitur qëndrimet e LDK-së për zhvillimet e fundit politike në vend.
Këto takime të Osmanit me krerët e opozitës vijnë pasi sot Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar nënkryetarin e saj, Glauk Konjufca, si kandidat për mandatar për formimin e Qeverisë së re. Megjithatë, përmes komunikatave të ndara për media, PDK, LDK dhe AAK kanë bërë të ditur se janë për zgjedhje të reja dhe nuk do ta votojnë Konjufcën në Kuvend.
Presidentes Osmani nesër i përfundon afati prej 10 ditësh për të vendosur nëse do t’i japë mandat Glauk Konjufcës apo do të shpallë zgjedhje të reja parlamentare.



Të tjera
Dogana sekuestron 100 paketime Botox dhe Filler të kon*trabanduara
Presidenca ndan foto nga momenti kur Osmani e mandatoi Konjufcën për Kryeministër
Çka është “gjumi i pastër”?