Misioni i OSBE-së në Kosovë ka dënuar gjuhën degraduese dhe seksiste të përdorur ndaj deputetes të LVV-së, Adriana Matoshi nga kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë vëren me shqetësim përdorimin e gjuhës degraduese dhe seksiste të drejtuar ndaj një zyrtareje të zgjedhur grua. Një retorikë e tillë minon përpjekjet për të parandaluar dhunën ndaj grave në politikë dhe është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare që promovojnë pjesëmarrje të barabartë dhe diskurs publik me respekt”, thuhet në reagimin e tyre në facebook.
Ata kanë theksuar që kujtojnë angazhimet nga Deklarata për Eliminimin e të Gjitha Formave të Dhunës ndaj Grave në Politikë dhe Jetën Publike, veçanërisht gjatë 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.
“Të gjithë zyrtarët publikë kanë përgjegjësi të mbështesin dinjitetin dhe të nxisin një mjedis ku gratë mund të marrin pjesë në mënyrë të sigurt dhe të barabartë në proceset politike. Misioni do të vazhdojë të mbështesë institucionet në forcimin e këtyre standardeve, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë të angazhohen në një diskurs publik profesional dhe me respekt”, vazhdon reagimi.
Ndërkohë gjatë dy ditëve të fundit janë duke qarkulluar komunikimet e ndërsjella nga debatet televizive e reagimet në rrjete sociale ndërmjet dyshes Matoshi dhe Lushtaku, të cilat janë dënuar tashmë nga shumë institucione vendore për gjuhën denigruese.
Në mesin e tyre është edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, të cilët kanë thënë se kjo retorikë ushqen kulturën e dhunës me bazë gjinore dhe përpiqet të ulë zërin e grave përmes turpërimit e diskriminimit.



Të tjera
Ndikimi i Muriqit në skuadër më i madh se i Mbappes e Haalandit
Nga një vend i bombave është shndërruar në një hapësirë ku jetohet qetësisht
OSBE dënon gjuhën seksiste ndaj Matoshit: Retorikë kundër standardeve