Osmani dekoron aktivistët për të drejtat e personave me nevoja të veçanta

Osmani dekoron aktivistët për të drejtat e personave me nevoja të veçanta

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim të dekorojë me Medaljen Presidenciale të Meritave një grup aktivistësh të cilët, me angazhimin e tyre të palodhshëm, kanë kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme për fuqizimin, mbrojtjen e të drejtave dhe përfshirjen dinjitoze të kësaj kategorie në shoqërinë tonë.

 

Në një njoftim për medie nga zyra e Presidencës bëhet me dije se të dekoruarit e sivjetshëm janë: Halit Ferizi (post mortem), Agim Vatovci (post mortem), Sabrije Zeqa (post mortem), Merita Voca (post mortem), Mexhid Foniqi (post mortem) dhe Hiljminijeta Apuk.

“Këta aktivistë, me avokimin e tyre publik, punën në terren dhe mbrojtjen e vazhdueshme të të drejtave të personave me nevoja të veçanta, kanë ndikuar në rritjen e vetëdijes shoqërore, avancimin e politikave publike dhe gjithpërfshirjen. Kontributi i tyre është shembull i përkushtimit qytetar dhe i vlerave, të cilat vazhdimisht i afirmon presidentja Osmani”, thuhet në njoftim.

Medaljet e akorduara do të dorëzohen në ceremoninë e veçantë të ndarjes së dekoratave që do të mbahet në fund të muajit dhjetor 2025.

Osmani ka theksuar se shoqëria jonë bëhet më e drejtë dhe më e fortë, nëpërmjet atyre që punojnë çdo ditë për barazi, dinjitet dhe përfshirje  dhe se vlerësimi i tyre është një obligim institucional dhe moral.