Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, i ka dhënë mbështetje marshit “Drejtësi, jo politikë” i cili do të mbahet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Pas pak në sheshin Skënderbeu, qytetarët tanë do të fillojnë marshin për drejtësi. Si presidente e Kosovës i jap mbështetje këtij marshi, sepse qytetarët tanë nuk kërkojnë asgjë tjetër përveç drejtësisë”.
Kjo deklaratë e Osmanit u përcoll me duartrokitje të shumta nga të pranishmit, derisa u dëgjuan thirrjet “UÇK, “UÇK”.
Osmani vijoi, duke thënë se , qytetarët e dinë mirë se mbrojtja e Ushtrisë Çlirimtare, është mbrojtje e vetë shtetit të Kosovës.
“Askush nuk mund ta njollosë luftën e UÇK-së, ajo ishte një luftë e drejtë, një luftë çlirimtare, një luftë mbrojtjeje, e udhëhequr nga e drejta për liri dhe shtet. Pa këtë kontribut të jashtëzakonshëm të UÇK-së e pa këtë sakrificë, Pavarësia e Kosovës nuk do të ishte realiteti që e festojmë sot. Duke e mbrojtur të vërtetën dhe luftën tonë çlirimtare, ne mbrojmë vetë shtetin tonë, pavarësinë tonë dhe lirinë që e gëzojmë sot”, tha Osmani.
Komandantja supreme e FSK-së tha se sot trashëgimtarët e UÇK-së, Forca e Sigurisë dhe Policia e Kosovës po i bëjnë çdo ditë krenarë. “Ata e dëshmojnë se Kosova është gati për NATO”, tha Osmani e cila shprehu mirënjohje për Shtetet e Bashkuara, shtetet evropiane që tha se qëndruan në anën e drejtë të historisë. “Ata na ndihmuan ta fitojmë lirinë, ata na ndihmuan ta ndërtojmë shtetin e edhe sot ata qëndrojnë me ne si partnerë të qëndrueshëm të paqes dhe sigurisë”, tha Osmani.



Të tjera
Ideatori i flamurit të Kosovës në marshin për ish-krerët e UÇK-së: Sakrifica të mos përmbyset në faj
Pesë metoda që ju ndihmojnë të mbani veshjet si të reja
Pse Pavarësia e Kosovës u vendos në 17 shkurt? Enver Hoxhaj zbulon arsyen