Presidentja Vjosa Osmani tha se pas vendosjes së masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, Presidenca ka dërguar komentet e saj.
Në një konferencë për media, ajo deklaroi se për një nënkryetar po synohet të bllokohet shteti, teksa tha se edhe në komentet e dërguara kanë dokumentuar se funksionimi efektiv i institucioneve të vendit është qenësor për ruajtjen e rendit kushtetues. Presidentja Osmani tutje tha se bllokimi i konstituimit për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari, do t`i cenonte seriozisht themelet mbi të cilat është ndërtuar Republika.
“Prandaj në kushtet ku bllokohet konstituimi i Kuvendit për një nënkryetar të vetëm përkundër faktit që Kryesia ka kuorum të mjaftueshëm dhe ka kryetar, dhe kur deputetët kanë kryer betimin, në ato momente pamundësohet përfaqësimi legjitim i qytetarëve në institucionin më të lartë përfaqësues edhe ushtrimi i sovranitetit. Është vlerësim i yni që ushtrimi i kësaj të drejte nëpërmjet së cilës po pretendohet të bllokohet Kuvendi i Republikës cenon të drejtat e të gjithë deputetëve të tjerë dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Rrjedhimisht po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti në tërësi”, deklaroi presidentja.
Sipas presidentes Osmani, vendi i nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb nuk do të merret nga askush, vetëm se do të plotësohej në një seancë tjetër.
Ndërsa theksoi se ka kërkuar nga Kushtetuesja që të mos lejojë që kushdo ta ketë të drejtën e vetos mbi Republikën.
“Nuk është hera e parë që Lista Serbe është larguar nga institucionet, por kjo nuk e ka bllokuar shtetin, sepse shteti duhet të ecë përpara. Ne kemi kërkuar nga Kushtetuesja që të mos lejojë që kushdo të ketë të drejtën e vetos mbi proceset jetike të shtetit. Veto mbi republikën nuk ka qenë asnjëherë qëllim i hartuesve e themeluesve të Kushtetutës. Duke ia dhënë një veto të tillë një partie që përfaqëson një komunitet, Republika do të zhvleftësohej në një copë letre në vend se të ishte në veprim të mbrojtjes së interesit të qytetarëve. Është në duart e kësaj Gjykate ta mbrojë shtetin”, vijoi e para e shtetit.
Osmani foli sërish për gjyqtarin serb të Kushtetueses Radomir Laban, duke theksuar se për disa vite ka dërguar prova në Kushtetuese për të. Presidentja tha se gjithçka që është dashur të dinin, i kanë ditur të gjitha organet e rendit. Sipas saj, përbën shqetësim të përgjithshëm që ai gjyqtar është pjesë e institucioneve.
Të tjera
Nesër mbahet Konferenca Nacionale “Një komunitet pa varësi”, merr pjesë Kurti
I treguam Katarit, por ishte shumë vonë për ta ndaluar su*lmin
Shqipëria del e dyta pas fitores ndaj Letonisë dhe debaklit të Serbisë nga Anglia