Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën për media pas takimit me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul, ka kërkuar heqjen e menjëhershme të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si “të padrejta” dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
Osmani tha se vizita e ministrit gjerman në Prishtinë është dëshmi e angazhimit të Berlinit që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së. Ajo theksoi se Gjermania mbetet aleati më i afërt dhe më i besueshëm i popullit të Kosovës.
“Vizita juaj në Kosovë si stacion i radhës në udhëtimin tuaj në Ballkanin Perëndimor është një dëshmi e qasjes tuaj dhe qeverisë së kancelarit Merz se Bashkimi Evropian mbetet i paplotë pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor. Republika Federale e Gjermanisë ka qenë dhe do të mbetet aleat historik dhe tradicional i popullit të Kosovës”, deklaroi Osmani.
Ajo ritheksoi se Kosova është plotësisht e orientuar drejt integrimit euroatlantik.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj orientimit të saj strategjik – anëtarësimit në NATO, BE, Këshillin e Evropës dhe në çdo organizatë ndërkombëtare ku ne kontribuojmë si shtet që mbron vlerat demokratike.”
Presidentja shtoi se mbështetja e Gjermanisë është kyçe për avancimin e Kosovës në proceset integruese, përfshirë trajtimin e aplikacionit për anëtarësim në BE.
“Shpresojmë që aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet në Komisionin Evropian, në mënyrë që vendit tonë t’i hapet rruga zyrtare drejt anëtarësimit final”, tha ajo.
Në mesin e çështjeve kryesore, Osmani e vuri theksin tek masat e BE-së ndaj Kosovës, të vendosura në qershor 2023, të cilat ajo i quajti të padrejta dhe të dëmshme.
“Heqja sa më e shpejtë e masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës është urgjencë e domosdoshme, sepse ato ndikojnë shumë negativisht në jetën e qytetarëve tanë. Në këtë rrugëtim, kemi nevojë për mbështetjen e vendosur të Gjermanisë”, tha Osmani.
Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, Osmani tha se Kosova është e përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë, por theksoi se një proces i barabartë është i pamundur përderisa Kosova vazhdon të mbetet nën masa.
“Përderisa Kosova mbetet nën masa të vetë BE-së, as dialogu i ndërmjetësuar nga BE nuk mund të konsiderohet i balancuar, parimor apo i barabartë”, deklaroi Osmani.
Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin rajonal, duke kërkuar që Bashkimi Evropian të rishikojë urgjentisht vendimet që, sipas saj, e dëmtojnë këtë proces.



Të tjera
Shtyhet vendimi për daljen në treg të hapur të energjisë
Zakone të njerëzve me vetëbesim të lartë
Ambasada Amerikane në Kosovë uron Dardanët për fitoren historike ndaj Sllovakisë