Komuna e Malishevës ka njoftuar se sot, në orët e mbrëmjes, presidentja Vjosa Osmani ka vizituar komunën ku është pritur nga kryetari Ekrem Kastrati. Qëllimi i vizitës ishte njoftimi i drejtpërdrejtë me gjendjen e krijuar nga reshjet e fundit dhe sfidat me të cilat po përballet komuna,transmeton KosovaPost.
Në njoftim potencohet se kryetari Ekrem Kastrati, e ka informuar Presidenten për situatën aktuale, masat e ndërmarra për menaxhimin e saj, si dhe për rreziqet potenciale me të cilat është përballur komuna. Ai ka theksuar se është aktivizuar Shtabi Emergjent, se ka pasur koordinim të vazhdueshëm me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe sa komuna ju ka dalë në ndihmë qytetarëve që kanë pasur nevojë.
“Kemi monitoruar vazhdimisht digën e Liqenit të Mirushës, për shkak të rrezikut që mund të paraqesë ndonjë avari”, ka thënë Katrati.
Bëhet e ditur se ai ka kërkuar mbështetjen e nivelit qendror për sanimin e dëmeve, kompensimin e të dëmtuarve dhe rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar, përfshirë digën dhe disa ura.
Në njoftim theksohet se, presidentja Vjosa Osmani ka përgëzuar Komunën e Malishevës dhe të gjitha ekipet emergjente për menaxhimin e situatës, duke shprehur solidarizimin e plotë me qytetarët dhe institucionet lokale. Ajo ka theksuar se, pavarësisht situatës së vështirë, nuk ka pasur humbje jete dhe se mbrojtja e jetës së qytetarëve ka qenë prioritet.
“Bashkë gjithmonë mund të punojmë në menaxhimin dhe parandalimin e situatave të tilla, sidomos tani që problemet janë identifikuar, gjë që e lehtëson marrjen e masave nga të gjitha nivelet”, ka deklaruar presidentja Osmani, duke ofruar mbështetjen e plotë të Presidencës në përballimin e situatës.
Pas takimit, Osmani dhe Kastrati kanë vizituar digën e Liqenit të Mirushës, për t’u njohur nga afër me gjendjen dhe rrezikun eventual që mund të paraqesë ajo. 



Të tjera
Kufizohuni në këto ushqime nëse doni dhëmb të shëndetshëm
Trump dhe Starmer diskutuan nevojën për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit
37 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës