Deputeti i LVV-së: Osmani në sinkron me opozitën, duket se ka një skenar

Osmani në sinkron me opozitën, duket se ka një skenar

Presidentja Vjosa Osmani është në sinkron të plotë me partitë opozitare, thotë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni. Madje, ai e quan një skenar mirë të organizuar për të moszgjedhur presidentin dhe për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja.

Sipas tij, një gjë e tillë dëshmohet edhe në deklarimet publike të tyre në mbrojtjen e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit dhe interpretimin e Kushtetutës, siç thotë, duke i shtuar tekst edhe përtej dispozitave aktuale.

Hyseni në një intervistë për KosovaPress, thotë se Lëvizja Vetëvendosje ia ka dëshmuar Vjosa Osmanit se nuk i kanë pasur votat për t’ia garantuar edhe një mandat në krye të vendit. Andaj, siç deklaron ai, nuk e kupton mllefin dhe frustrimin e Osmanit karshi kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë.

“Partitë opozitare që janë sinkronizuar me presidenten që menjëherë të dalin t’ia mbështesin dekretin, që menjëherë ta bëjnë një interpretim të njëjtë të asaj çka parasheh Gjykata Kushtetuese, unë mendoj që këtu kemi të bëjmë me një, unë nuk do të doja ta quaja, mirëpo duket me një skenar të sinkronizuar mirë se ka duhet të ecet, të krijohet një momentum. Të koordinuar? Nuk mund ta them se nuk kam informacion, mirëpo nga deklarimet publike vërehet qartazi se kemi njëfarë sinkronizimi, një skenar të sinkronizuar mes forcave politike opozitare në interpretimin e kushtetutës, madje duke i shtuar edhe tekst përtej asaj çfarë thotë neni 82 në pikën tre, por gjithashtu edhe duke i dhënë një mbështetje shumë të fortë presidentes Vjosa Osmani në deklarimet e saja dhe në frustrimin e saj sa i takon asaj pse Vetëvendosje nuk e paska mbështetur. Mirë, po ne e patëm fazën e konsultimeve. Nëse qenka e frustruar ndonjëra nga forcat politike, pse Vjosa Osmani nuk paska pasur mundësi me u zgjedhur me datën 5, ato do duhej të ishin në Kuvend aty. Aty të flisnin edhe të propozojnë edhe mandej të shihnin epilogun”, thotë ai.

Sipas tij, kryeministri Albin Kurti i ka mbajtur zotimet me Vjosa Osmanin, pasi e ka bërë presidente për mandatin 2021-2026.

Për këtë arsye, ai thotë se edhe moskandimi i saj për presidente nuk ka të bëjë me asnjë lloj tradhtie apo komploti.

“Nuk kemi të bëjmë këtu me një lloj tradhtie ose me një lloj komploti ose me ndonjë lloj, le të themi, ndarje nga ato zotime që kemi pasur. Zotimet që kanë qenë për mandatin 2021-2025 janë zotime të cilat janë mbajtur, kemi bashkërrugëtar së bashku dhe e kanë marrë formën qysh e kanë marrë deri sot…Ajo çka kemi deklaruar dhe çka e kemi thënë është pothuajse nga të gjithë që jemi deklaruar për çështjen e nënshkrimeve sa i takon nevojës që presidentja aktuale të ketë nënshkrimet e Lëvizjes Vetëvendosje për t’u kandiduar, kemi shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e plotë që ajo këto nënshkrime t’i ketë. Por e kemi sqaruar një gjë: pa votat e partive të tjera opozitare, ne nuk mund as të futemi në votim dhe nuk mund të kemi mundësi të kemi një votim të suksesshëm të Kuvendit sa i takon kandidaturave që do të vendosen për të parin e shtetit”, shton Hyseni.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje e mirëpret masën e përkohshme mbi dekretin e presidentes Vjosa Osmani, por e konsideron të panevojshme pezullimin e punës edhe të Kuvendit.

Ai nënvizon se gjatë periudhës së pezullimit të Kuvendit janë penguar miratimi i buxhetit, votimi i qeverisë dhe disa marrëveshje ndërkombëtare me përfitime financiare për Kosovën.

“Ajo që mund të themi me këtë rast është se ne sigurisht e kemi mirëpritur masën e përkohshme për dekretin ndaj vendimit që presidentja mori, e i cili dekret unë mendoj që është ndërmarrë si të thuash nga një mllef politik, edhe një ngarkesë më shumë sesa që ka nevojë ndoshta për një presidente të vendit, për arsye se në fund të fundit është Kuvendi ai që i merr vendimet sa i takon presidentes ose presidentit…Gjykata Kushtetuese nuk e konsideroi që ka pasur shumë, shumë nevojë të pezullojë aktivitetet e Kuvendit për një, le të themi, periudhë trejavore. Ju e dini që vendi kaloi për një periudhë të gjatë në një bllokadë institucionale dhe ne, posa morëm mandatet, posa filluam me punë, miratuam qoftë buxhetin, votuam qeverinë, mandej miratuam shumë marrëveshje ndërkombëtare”, thekson ai.

Krahas kësaj, ai thotë se Kushtetuesja duhet të fokusohet më shumë te një vendimmarrje e shpejtë e përmbajtjesore dhe të anashkalojë presionet nga secila palë.

“Gjykata Kushtetuese duhet të fokusohet jashtëzakonisht shumë vetëm tek çështjet që është duke i trajtuar dhe tek një përgjigje sa më e shpejtë për publikun e Kosovës, duke interpretuar tamam normat kushtetuese ashtu siç janë të shkruara dhe në frymën që ato parashohin…Ambasadat, edhe ambasadorët në Republikën e Kosovës përmes mënyrave të ndryshme e kanë përkrahur edhe sistemin juridik, edhe sistemin gjyqësor, edhe për t’u njoftuar në lidhje me procedurat dhe me proceset të cilat janë duke u zhvilluar, edhe mund të marrin informacione dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk janë, le të themi, të mbyllura për ambasadat, ambasadorët, sidomos të vendeve partnere me të cilat ne e kemi ndërtuar çdo gjë në këtë vend. Mirëpo, konsideroj që fokusi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë në këtë periudhë tek nxjerrja sa më e shpejtë e vendimeve të cilat e funksionalizojnë edhe njëherë Kuvendin, por edhe na e mundësojnë që të kemi një zgjedhje të presidentit në këtë afat 60 ditor, edhe evitimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, përfundon ai.