“Do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë.” Këtë deklaratë, që akuzoi gazetarë pa përmendur emra një ditë më parë në të shkruar, sot Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, e ka përsëritur edhe në konferencën për media që e mbajti në Zyrën Presidenciale.
“E dinë ata, e kanë mizën pas veshit”, tha presidentja, kur gazetarët insistonin që ajo të fliste hapur me emra. Tha se këtë do ta bëjë vetëm pasi të sigurohet nga institucionet e sigurisë se nuk do t’i pengojë hetimet.
Madje, Osmani përmendi edhe rrezikun që i kanosej Kosovës nga një grusht-shtet.
“Nuk janë hetuar gazetarët, është hetuar dikush tjetër; janë hetuar Radoiçiqët. Nuk ka pasur nevojë të hetohet asnjë gazetar. Kur hetohen Radoiçiq-ët, dalin bashkëpunëtorët e tyre, dhe natyrisht institucionet e sigurisë e kanë detyrë shtetërore, detyrë morale, detyrë ligjore që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Republikën e Kosovës, përfshirë planet për grusht-shtet dhe rreziqet e ndryshme që i janë bërë dhe i bëhen institucioneve të Kosovës. Për këtë arsye ekzistojnë institucionet e sigurisë. Kjo nuk nënkupton që janë hetuar gazetarët; janë hetuar njerëz të tjerë dhe pastaj kanë dalë shumë prova. Pse nuk e kam thënë më herët? Sepse institucionet e sigurisë janë ende duke i vazhduar hetimet dhe është vlerësim i tyre që ne nuk duhet të dalim publikisht me emra dhe mbiemra, sepse kjo do t’i pengonte hetimet, dhe unë nuk dua t’i pengoj ato. E dinë ata kush janë, e kanë mizën pas veshit, prandaj edhe më sulmojnë mua për shkak të qëndrimeve të mia kundër Listës Serbe, sepse nuk kanë se si të jenë të suksesshëm kundër meje. Tentojnë t’i sulmojnë vajzat e mia të mitura. Kjo është krejtësisht politike. Por nuk janë hetuar gazetarët. Dhe unë, si Presidente, kurrë nuk kam kërkuar të hetohet ndonjë gazetar nga institucionet e sigurisë, të cilat, të ju them sinqerisht kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në parandalimin e shumë sulmeve të Serbisë ndaj Kosovës. Dhe, për të parandaluar çdo sulm të Serbisë, natyrisht që duhet të hetohen armiqtë e Kosovës, ata që kanë kryer akte terroriste, që kanë kryer akte agresioni, ata që planifikojnë përsëri ta sulmojnë Kosovën. E tash, përgjatë rrugës së hetimeve, del që për fatin e keq të këtij vendi ka gjithçka: edhe bashkëpunëtorë me ta. Nuk pengohen hetimet nëse them ‘do të shokoheshit’; çdo qytetar i Republikës do të shokohej kur ta shihte një gjë të tillë. Por për këto gjëra unë do të pres deri në momentin kur institucionet e sigurisë vlerësojnë se publikimi i tyre nuk i pengon hetimet”, theksoi Osmani.
Të tjera
‘Akt agresiv dhe i pamatur’, thotë BE-ja për dronët rusë në Poloni
Kush janë 17 ministrat e rinj të Ramës?
Jamal shumë brishtë, i bën se është adoleshent