Osmani nga Kopenhaga për sulmin në Banjskë: Është koha që BE të veprojë në atë që thotë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë adresimit për media në Kopenhagë ka përkujtuar se u mbushën dy vjet nga sulmi terrorist serb në veri të vendit, duke kritikuar Bashkimin Evropian se megjithëse ka bërë vazhdimisht thirrje për përgjegjësi, deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim konkret.
“Posa shënuam 2 vjetorin e agresionit serb në shtetin tim, në veri të shtetit tim. Bashkimi Evropian në vazhdimësi ka bërë thirrje për përgjegjësi, ku deri tani ka pasur zero përgjegjësi. Është koha për të vepruar në atë që thuhet – “walk the talk”, ka deklaruar Osmani.
“Ka një nevojë të vazhdueshme për konsistencë nga Bashkimi Evropian, sepse nuk mund ta trajtosh njërën si agresore dhe diktatore, e tjetrën si partnere për paqe”, ka theksuar Osmani para mediave në Kopenhagë.
“Serbia i ka trajtuar fqinjët e saj si shtete joekzistente, si shtete të përkohshme, ndaj të cilave vepron me agresion. Është kopje e lojës ruse, e për fat të keq, e mbështetur nga vetë Rusia. Prej shekujsh kanë përdorur të njëjtin koncept. Rusia flet për ‘botën ruse’ e Serbia për ‘botën serbe’ – duke përdorur të njëjtat metoda”, ka deklaruar ajo.
“Në rajon gjithmonë ka ndikime. Nëse nuk është ai perëndimor, janë fuqitë e trekëndëshit të së keqes: Rusia, Kina dhe Irani. Ata nuk vijnë për bamirësi, por për interesa strategjike. Prandaj është thelbësore që procesi i zgjerimit të BE-së të shtyhet përpara në Ballkanin Perëndimor, duke marrë parasysh ato vende që përmbushin kriteret dhe që punojnë për vlerat mbi të cilat qëndron BE-ja”, ka thënë presidentja Osmani.
Mbahet Samiti i Komunitetit Politik Evropian, Osmani përfaqëson Kosovën

Sot në Kopenhagë, Danimarkë, do të mbahet Samiti i liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili pritet të mbledhë 45 liderë evropianë, përfshirë edhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Kosovën në këtë samit e përfaqëson Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po përfaqëson Republikën e Kosovës në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili këtë edicion do të mbahet në Kopenhagë, Danimarkë, dhe do të mbledhë 45 liderë evropianë, përfshirë edhe ata të institucioneve të BE-së.
Sipas njoftimit, presidentja po ashtu do të marrë pjesë në tryezën mbi sfidat kryesore të sigurisë me të cilat po përballet Evropa, përfshirë rritjen e kërcënimeve hibride dhe provokimet e paprecedentë nga Rusia ndaj shteteve anëtare të NATO-s. Në këtë kontekst, liderët evropianë do të diskutojnë mënyrat për të shfrytëzuar momentumin politik për marrjen e vendimeve të domosdoshme, përfshirë forcimin e gatishmërisë mbrojtëse.



Të tjera
Ushqimet që shkaktojnë kapsllëk
Si ta kapërceni një ndarje? Përjetojeni fundin e një marrëdhënieje si një mundësi për veten tuaj
Disa probleme shëndetësore mund të dallohen nga sytë