Çfarë pritet nga seanca e së dielës e Kuvendit? Osmani deklarohet për opsionet dhe shumë çështje tjera

Osmani nis konsultimet me partitë opozitare pas propozimit të Vetëvendosjes për mandatarin e ri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur konsultimet politike me partitë e ish-opozitës, pas propozimit zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje që Glauk Konjufca të jetë mandatar për formimin e qeverisë së re.

Gjatë ditës së sotme, presidentja Osmani ka zhvilluar takime me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar rreth qëndrimeve të subjekteve politike në lidhje me situatën e krijuar dhe mundësitë për formimin e një qeverie të re.

Deri më tani, partitë parlamentare të ish-opozitës janë shprehur kundër propozimit të Vetëvendosjes për Glauk Konjufcën si kryeministër, duke e konsideruar këtë nismë si tentativë për zvarritje të procesit politik dhe jo si zgjidhje për krizën aktuale institucionale.

Në ditët në vijim, pritet që presidentja Osmani të përfundojë ciklin e takimeve konsultative, para se të marrë një vendim përfundimtar lidhur me hapat e ardhshëm kushtetues.