Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Estonisë në Kosovë, Karin Anna Maandi.
Me këtë rast, Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores në Kosovë dhe e përgëzoi për emërimin e saj, duke shprehur bindjen se mandati i saj do të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Estonisë.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme, parimore dhe të zëshme të Estonisë ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe fuqizimit të pozitës që Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke potencuar se Kosova në vazhdimësi është linjëzuar me politikat e BE-së”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Më tej, presidentja dhe ambasadorja diskutuan për thellimin e bashkëpunimit me Estoninë në fushën e mbrojtjes, digjitalizimit, shërbimeve publike elektronike, sigurisë kibernetike dhe integrimit euroatlantik.
“Sa i përket sigurisë dhe stabilitetit rajonal, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke falënderuar Estoninë për kontributin e saj në sigurinë evropiane. Në këtë linjë, falënderoi Estoninë edhe për avokimin e vazhdueshëm për aspiratat evropiane të Kosovës, në veçanti për statusin e vendit kandidat për BE dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, thuhet ndër të tjera./teve1.info/



Të tjera
Shenjat që tregojnë çrregullimin e sistemit imunitar
PDK akuzon Qeverinë për krizën energjetike
Obiliqi vendos, 350 euro euro në muaj për familjet që adaptojnë fëmijë