Osmani pret shefin e EULEX-it, temë edhe siguria dhe sundimi i ligjit

Osmani pret shefin e EULEX-it, temë edhe siguria dhe sundimi i ligjit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e EULEX, Giovanni Pietro Barbano, transmeton KosovaPost.

Gjatë takimit, sipas njoftimit të Presidencës, është diskutuar për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit. Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve për garantimin e rendit dhe ligjit, si dhe për avancimin e standardeve demokratike në vend.

Po ashtu, në takim është trajtuar bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it, me theks në rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm për forcimin e sundimit të ligjit.

Bëhet e ditur se në takim është vlerësuar edhe bashkëpunimin në kuadër të agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë, si dhe zbatimin e standardeve të Konventës së Stambollit, në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe fuqizimit të rolit të grave në shoqëri.