OVL e UÇK-së mban sot konferencë në Tiranë, Syla: Nuk mund të tregojmë arsyen

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, sot do të mbajë konferencë për media në Tiranë.

Ndonëse nuk është bërë e ditur arsyeja e kësaj konference, në njoftim është bërë i ditur vetëm lokacioni dhe ora.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së fton në një konferencë për media, që do të mbahet nesër më 29 shtator në ora 12:00, në hapësirat e Hotel “Tirana” në Tiranë”, thuhet në njoftim.

Media ka kontaktuar me nënkryetarin e OVL e UÇK-së, Gazmend Syla për të kuptuar më shumë rreth kësaj konference, mirëpo i njëjti nuk ka dhënë detaje.

Kjo konferencë vjen në një kohë ku në Hagë është duke u zhvilluar procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku aktualisht mbrojtja është duke paraqitur dëshmitarët e saj.

Deri më tani dëshminë e tyre e kanë dhënë tre dëshmitar, James Rubin, Paul Williams dhe John Stewart Duncan.

Ndryshe mbrëmë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama  tha se nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë të Parlamentit të Kosovës, një rezolutë që tha se Shqipëria do t’i bashkohej menjëherë ndaj Gjykatës Speciale.

“Nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë të Parlamentit të Kosovës, një rezolutë përtej partive politike të cilës ne do t’i bashkoheshim menjëherë ndaj Gjykatës Speciale dhe ndaj gjithë kësaj farse sepse ka shumë farsë në këtë mes”, tha Rama.