Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se regjistrimi i padisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) kundër Serbisë për çështjen e pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës përbën një kthesë të rëndësishme në një betejë të gjatë juridike dhe politike, duke synuar ndërkombëtarizimin e problemit dhe sjelljen e tij në instancat më të larta evropiane.
“Pasivizimi i adresave është një çështje që ka prekur komunitetin shqiptar në Serbi, duke kufizuar aksesin e tyre në shërbime publike dhe të drejta themelore. Regjistrimi i padisë në Strasburg pritet të sjellë vëmendjen ndërkombëtare mbi këtë problem dhe të përshpejtojë një zgjidhje ligjore”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Sipas tij, padia në Strasburg për pasivizimin e adresave mund të bëjë një kthesë të rëndësishme në një betejë të gjatë.
“Regjistrimi i padisë në Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kundër Serbia është rezultat i një pune të vazhdueshme juridike dhe politike për ndërkombëtarizimin e çështjes së pasivizimit të adresave. Ky hap nuk është i rastësishëm, ai është vazhdim i angazhimit institucional të Këshilli Kombëtar Shqiptar për ta ngritur këtë problem në instancat më të larta evropiane”, ka shtuar Kamberi.
Ai ka falënderuar avokatin Drini Grazhdani për profesionalizmin dhe përkushtimin, si dhe për Teuta Fazliun, për siç tha, guximin qytetar për t’u përballur me Serbinë në bankat e drejtësisë evropiane.
“Kjo nuk është vetëm një betejë ligjore, është një betejë për dinjitet, barazi dhe ndalimin e diskriminimit sistematik”, ka shtuar Kamberi.
E hap të rëndësishëm regjistrimin e padisë në Strasburg e ka vlerësuar hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë edhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila po ashtu ka falënderuar Teuta Fazliun për guximin qytetar dhe gatishmërinë për ta përfaqësuar këtë padrejtësi që prek shumë familje, si dhe avokatin Drini Grazhdani për profesionalizmin dhe përkushtimin në ndërtimin juridik të këtij rasti kompleks.
“Kjo nuk është vetëm një çështje individuale, është një përpjekje për t’i dhënë fund një praktike sistematike që cenon të drejtat themelore të qytetarëve”, ka shkruar Sinani në Facebook.
Padia e qytetares Teuta Fazliu është paraqitur në GJEDNJ më 19 shtator të vitit të kaluar.



Të tjera
Këto janë gjërat që duhet të bëni për të shpëtuar nga gripi
Ministri i Mbrotjes i Kroacisë kërkon përgatitje për mbrojtjen e kufijve të vendit të tij
Osmani pas takimit me Peleshin: Uniteti ynë është forcë