Padrejtësia “speciale” dhe relativizimi i së vërtetës historike

Padrejtësia “speciale” dhe relativizimi i së vërtetës historike

  Nga Kushtrim Bekteshi

Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfaqëson formacionin më të rëndësishëm politik, ushtarak dhe historik që shqiptarët e Kosovës kanë krijuar në shekullin XX. Ajo nuk ishte një projekt i rastësishëm apo aventurë politike, por rezultat i drejtpërdrejtë i një procesi të gjatë represioni, mohimi sistematik të të drejtave dhe një pushtimi të dhunshëm shtetëror. Në këtë kuptim, UÇK-ja mishëron të drejtën universale për rezistencë ndaj pushtimit, një parim i njohur në doktrinën politike dhe në të drejtën ndërkombëtare.

Zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e kanë rikthyer në vëmendje një debat thelbësor: legjitimitetin moral dhe juridik të vetë ekzistencës së kësaj gjykate. Qasja e prokurorisë dhe ndërtimi i narrativës akuzuese kanë konfirmuar përshtypjen se kjo gjykatë funksionon mbi premisa që shpesh janë të shkëputura nga konteksti historik dhe realiteti faktik. Në këtë raport, drejtësia dhe e vërteta shfaqen si dy koncepte që ecin paralelisht, pa u takuar.

Në thelb, Dhomat e Specializuara nuk është dashur të ekzistojnë. Vetë krijimi i tyre përbën një devijim serioz nga parimet fundamentale të drejtësisë. E drejta dhe e vërteta nuk mund të kenë karakter selektiv apo “special”. Ato janë universale dhe të pandashme. Çdo përpjekje për t’i fragmentuar apo për t’i aplikuar në mënyrë të diferencuar, mbi baza politike apo presionesh ndërkombëtare, prodhon padrejtësi strukturore.

Nga këndvështrimi juridik, ekzistojnë së paku dy arsye thelbësore pse Kosova nuk ka pasur nevojë për këtë gjykatë dhe pse ajo nuk është dashur të krijohej.
Së pari, në çdo sistem juridik modern vlen parimi i prezumimit të pafajësisë. Askush nuk ka obligim të dëshmojë pafajësinë e vet; barra e provës i takon palës akuzuese. Themeli i një gjykate mbi supozimin implicit të fajësisë kolektive ose individuale përbën shkelje të drejtpërdrejtë të këtij parimi bazik.
Së dyti, Kosova tashmë ka qenë subjekt i drejtësisë penale ndërkombëtare. Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka ekzistuar dhe ka gjykuar krime të luftës në rajon. Në këtë proces, disa shqiptarë janë dënuar, ndërsa figura të profilit të lartë serb, si Vojislav Šešelj, janë liruar nga shumica e akuzave, për t’u dënuar më pas simbolikisht, me dënime të konsideruara të vuajtura. Ky kontrast përbën një oksimoron juridik që e minon besimin në neutralitetin e asaj që quhet “drejtësi ndërkombëtare”.

Problemi bëhet edhe më i thellë kur analizohet logjika mbi të cilën u ndërtua kjo gjykatë. Si mund të pretendohet drejtësi duke krijuar një gjykatë ex officio për palën që ishte viktimë? Populli i Kosovës ishte i pushtuar. Pushtimi prodhoi dhunë sistematike, vrasje, përdhunime dhe persekutim masiv. Injorimi i këtij konteksti dhe trajtimi i luftës si një konflikt simetrik është jo vetëm gabim historik, por edhe deformim juridik i realitetit.

Në këtë kuadër, mbështetja që kjo gjykatë gjeti brenda Kosovës duhet analizuar me kujdes. Është e arsyeshme të supozohet se një pjesë e atyre që e përkrahën krijimin e saj nuk e bënë këtë nga qëllime dashakeqe, por nga një naivitet politik dhe një besim i tepruar se drejtësia ndërkombëtare është domosdoshmërisht e paanshme. Zhvillimet aktuale po dëshmojnë se ky besim ka qenë i pabazuar.

Një gjykatë e ndërtuar mbi pretendime të paqarta, mbi raporte të kontestuara dhe mbi presupozoime që fyen logjikën juridike, nuk mund të prodhojë drejtësi reale. Drejtësia që lind nga padrejtësia mbetet gjithmonë e tillë: një simulakër juridik që relativizon të vërtetën dhe e dëmton rëndë memorien kolektive të një populli që ka qenë viktimë e agresionit.