Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj informacioneve të fundit që qarkulluan në portale dhe rrjete sociale, të cilat ai i ka quajtur “lajme të rreme” që synojnë të dezinformojnë qytetarët, përcjell Kosova Post.
Në një postim të gjatë, Murati thekson se paga e 13-të është e paraparë në projektligjin e buxhetit për vitin 2026, por kujton se ky projektligj nuk është votuar nga opozita, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-Nismën.
“Paga e 13-të është e paraparë në ligjin e buxhetit për vitin 2026.
Por siç e dinë të gjithë, ligjin e buxhetit për vitin 2026 nuk e votuan PDK/LDK/AAK-Nisma,” – shkruan Murati.
Ai e quan të turpshme dhe shqetësuese fushatën e dezinformatave që, sipas tij, po zhvillohet nga opozita dhe disa media, të cilat “në mungesë të një programi të mirëfilltë, po përdorin rrena të vazhdueshme për të krijuar pakënaqësi tek qytetarët”.
Murati rikujton se Qeveria ka qenë gjithmonë transparente në komunikimin e vendimeve dhe njoftimeve të rëndësishme, duke ftuar qytetarët që të mos i besojnë asnjë lajmi të paverifikuar.
“Nëse shihni çfarëdo njoftimi që ka të bëjë me Qeverinë, mos u besoni pa e verifikuar fillimisht nëse diçka e tillë është thënë nga kanalet zyrtare të Qeverisë.”
Reagimi vjen në një kohë kur debati për pagën e 13-të është rikthyer në skenën politike, ndërsa qeveria thotë se dezinformatat po përdoren për përfitime të ngushta elektorale.



Të tjera
Kandidimi i motrës së Donika Kadajt me koalicionin Vakat, uzurpon vendet e boshnjakëve
Kosova ka kompensuar vik*timat e kr*imit me 1 milionë euro në vitet e fundit
2,076,290 qytetarë me të drejtë vote në zgjedhjet e 28 dhjetorit