Kryediplomati turk: Heshtja e botës për Gazën ‘bashkëfajësi në gjenocid’

Palestina mbetet busulla morale e kohës sonë, një provë e unitetit mysliman

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, ka deklaruar se “Palestina mbetet busulla morale e kohës sonë”, duke shtuar: “Është prova përfundimtare nëse bota myslimane mund t’i shndërrojë vlerat e përbashkëta në veprim kolektiv.”

“Kjo do të thotë zmbrapsje e agresionit izraelit dhe trajtim i çështjes së ekspansionizmit izraelit,” tha Fidan në një fjalim në Konferencën Rinore Al Sharq në Stamboll, të shtunën.

Fidan vuri në dukje se një transformim i butë, por i vërtetë, është duke ndodhur, duke shtuar: “Bota islame ka nevojë për më shumë nga ky transformim, por mbi të gjitha ka nevojë për unitet.”

Ai shtoi se Türkiye po bën përpjekje të jashtëzakonshme për të siguruar vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi, duke bërë thirrje gjithashtu për “guxim moral dhe përgjegjësi lokale”.

Duke theksuar se ekuilibri i fuqisë po ndryshon, ministri i Jashtëm turk tha se bota po kalon një periudhë ku konfliktet vazhdojnë në pjesë të ndryshme të globit dhe konkurrenca strategjike globale ka një gamë të gjerë ndikimesh.

“Faza e ardhshme e historisë sonë duhet të shënohet nga bashkëpunimi, jo nga konkurrenca dhe përçarja. Ajo duhet të karakterizohet nga partneriteti, jo nga polarizimi,” nënvizoi Fidan.

Përveç bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik, bota islame duhet të tregojë përpjekje të përbashkëta edhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe në aspektin e vizioneve të përbashkëta, theksoi ai.

“Zgjidhje të qëndrueshme për problemet rajonale”

Fidan tha se Ankaraja beson se “vetëm aktorët rajonalë mund të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për problemet rajonale”.

“Vetëm aktorët rajonalë kanë një kuptim të thellë të thelbit dhe shkaqeve rrënjësore të konflikteve në rajonin e tyre, të formësuara nga historia dhe përvoja,” tha ai./trt