Para takimit Zelensky–Trump, Meloni kërkon unitet kundër Moskës

Para takimit Zelensky–Trump, Meloni kërkon unitet kundër Moskës

Në prag të takimit të shumëpritur mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit amerikan Donald Trump, diplomacia evropiane ka shtuar ndjeshëm kontaktet. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka dalë hapur me një mesazh të fortë: pa unitet perëndimor, paqe nuk mund të ketë.

 

Meloni, së bashku me disa liderë të Bashkimit Evropian, zhvilloi një bisedë telefonike me Zelenskyn, ku u koordinuan qëndrimet përpara samitit në Mar-a-Lago. Në fokus ishte ruajtja e kohezionit mes Evropës, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.

Sipas kryeministres italiane, çdo përçarje në aleancën perëndimore do të ishte “dhurata më e madhe për Moskën”. Ajo theksoi se uniteti i vizionit është më i domosdoshëm se kurrë, veçanërisht tani që lufta po i afrohet vitit të katërt.

Mesazhi nga Roma ishte i qartë: paqja nuk arrihet me lëshime, por me qëndrim të përbashkët dhe presion të koordinuar. Vetëm një front i bashkuar, sipas Melonit, mund ta detyrojë Rusinë të tregojë vullnet real për negociata.

Ndërhyrja vjen në një moment delikat, ku Evropa kërkon të sigurohet që çdo marrëveshje e mundshme mes Uashingtonit dhe Kievit të çojë drejt një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe që garanton sigurinë e kontinentit.