Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride, “Octopus”, Arben Fetoshi, tha se parada e Aleksandar Vuçiqit, është zgjatim i provokimeve të Putinit kundër NATO-s dhe arkitekturës rajonale të sigurisë.
“Një mik në Beograd, emrin e të cilit me qëllim s’po e përmend, më tregoi se tash e dhjetë ditë tanket janë në rrugët e kryeqytetit serb, ndërsa sot protestuesit janë bllokuar nga policia, që të mos dëgjohen fishkëllimat kundër Vuçiqit në televizor. Një tjetër frikësim në stilin stalinist, më tha dhe e mbyllëm me shpresën që të fundoset sa më parë kjo politikë e çmendur armiqësore në Serbi”, shkroi ai në Facebook.
Fetoshi përmendi se menjëherë pas shfaqjes në paradën e Pekinit dhe në vazhdim të pjesëmarrjes kërcënuese në paradën ruse të majit, Vuçiq ekspozon fuqinë ushtarake të Serbisë si mesazh për “epërsinë” rajonale dhe si nxitje të “krenarisë” për mobilizimin e qytetarëve serbë, duke i paralajmëruar protestuesit, me falënderimin e Rusisë për “informacionet” e marra nga SVR (Foreign Intelligence Service) mbi gjoja planifikimin e një “maidani serb” (në analogji me Revolucionin e Dinjitetit në Ukrainë) nga evropianët.
“Një taktikë e njohur që ngërthen “viktimizimin” – duke e paraqitur Deklaratën e Përbashkët të Mbrojtjes ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës si kërcënim, “manipulimin” – duke përdorur dezinformimin dhe nxitjen emocionale në projektimin e armikut ‘evropian’, dhe “nacionalizmin” – duke konfirmuar edhe me manifestime të ngjashme përkatësinë strategjike në boshtin Moskë-Pekin. Në kontekstin e brendshëm, parada e “fuqisë së unitetit” është po ashtu një përgjigje e dëshpëruar e Vuçiqit ndaj largimeve nga ushtria, si shenjë e rebelimit gjithnjë e më të madh kundër politikës së tij militariste”, tha ai.
Ndërkohë që protestat qytetare duket se kanë filluar të japin efektin e ndërgjegjësimit, regjimi i tij paralajmëron rikthim të shërbimit ushtarak për civilët dhe dërgon mesazhe frikësuese përmes ekspozimit të “forcës” me rreth 10 mijë ushtarë, 600 automjete luftarake, avionë e sisteme të avancuara kineze dhe ruse.
“Përballë një besimi tashmë të rrënuar publik, Vuçiq e ka të qartë se efekti frikësues nuk mjafton. Prandaj, për ta zhvendosur vëmendjen nga pakënaqësia qytetare, spektaklit të “forcës” i duheshin edhe emocionet e “unitetit” kolektiv, në përpjekje për ta rivendosur legjitimitetin e pushtetit të tij. Mirëpo, duke mos qenë një shfaqje ceremoniale që lidhet me ndonjë datë të caktuar, parada e sotme në Beograd është një zgjatim i provokimeve të fundit të Rusisë brenda hapësirës ajrore të NATO-s, e cila duhet të shërbejë si alarm për Kosovën dhe partnerët e tjerë rajonale të sigurisë euro-atlantike. Militarizimi i Serbisë nuk është “neutralitet” apo investim në modernizim, por pjesë e një komunikimi strategjik që ka për qëllim “imponimin” e fuqisë ushtarake si instrument të politikës revizioniste dhe ekspansioniste. Ndryshe s’ka si shpjegohet armatosja e saj nga diversifikimi taktik i burimeve (avionët francezë Rafale, sistemet ruse dhe armët kineze FK-3/HQ-22 të mbrojtjes ajrore) duke u bërë fuqia më të madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor, në kontekstin e qëllimeve të saj të hapura ekspansioniste përmes projektit të “Botës Serbe”. Si amplifikator i narrativave dhe politikave të Moskës në Ballkan, Serbia e ka përdorur taktikisht Francën për “balancim” me Perëndimin, por sot tregoi se nuk do ta braktisë orbitën “shpëtimtare” ruse dhe kineze”, tha Fetoshi.
Ai tha se ajo po e shfrytëzon “balancimin” për ta rritur fuqinë mashtruese në kuadër të synimeve të saj territoriale, ndërkohë që vazhdon t’i shërbejë propagandës dhe qëllimeve antiperëndimore të Rusisë, me narrativën e NATO-s si “agresore” dhe komplotion “europian” për “maidanin serb”.
“Prandaj, demaskimi i paradës në Beograd si zgjatim i provokimeve ruse kundër NATO-s dhe rendit euro-atlantik në Ballkanin Perëndimor, nuk duhet parë si një retorikë diskursive, por si sinjalizim për planet kërcënuese kundër Kosovës dhe arkitekturës së sigurisë rajonale”, shkroi Fetoshi.



Të tjera
Kurti mbi 309 mijë vota, Konjufca 240 mijë, 10 më të votuarit në VV pas numërimit të rreth 90 përqind të votave
Fëmijët e vetëm më të rrezikuar nga obeziteti
Numërohen mbi 80% e votave për deputetë, renditja e top-pesësheve s’ndryshon