Glauk Konjufca, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, kishte 15 ditë kohë për të paraqitur programin dhe kabinetin qeveritar dhe për të siguruar 61 vota në Kuvend, por ky proces dështoi, gjë që dërgoi Kosovën në zgjedhje të reja.
E analisti politik Zejnullah Jakupi ka komentuar situatën e krijuar pas skadimit të mandatit të Glauk Konjufcës për formimin e qeverisë së re.
Ai paralajmëron se vendi tashmë ka hyrë në një fazë të brishtë politike ku zgjedhjet e reja janë pothuajse të pashmangshme — dhe, sipas tij, ato bartin si rreziqe të mëdha, ashtu edhe mundësi të rëndësishme për Kosovën.
Sipas analistit Jakupi, efekti i zgjedhjeve do të jetë i dyfishtë.
“Një mandat i ri qeverisës mund ta rihapë rrugën e financimeve nga BE, Banka Botërore dhe partnerë të tjerë, nëse shmanget paqeverisja.”
Sipas Jakupit, zgjedhjet nuk vijnë pa kosto dhe rreziqe serioze.
Analisti thekson se deri në krijimin e qeverisë së re, vendi do të përballet me bllokime:
“Buxheti i vitit 2026 është çështja më urgjente. Mosmiratimi i tij mund të shkaktojë krizë financiare dhe pengesa në projekte ndërkombëtare. Një periudhë e zgjatur pa qeveri funksionale jep sinjale negative për investitorët dhe ngadalëson investimet e jashtme”, shprehet Jakupi.
Jakupi shpjegon se Kosova është futur në një cikël bllokadash që rrezikon funksionimin bazë të shtetit.
“Pa qeveri funksionale, miratimi i buxhetit bëhet i vështirë. Kjo prek shpenzimet publike, investimet, projektet infrastrukturore. Po ashtu, bashkëpunimi me BE-në dhe institucionet ndërkombëtare vështirësohet nëse Kosova nuk ka institucione të qëndrueshme.”
Ai shton se kjo situatë ndikon edhe te besimi qytetar.
“Qeveritë e paqëndrueshme ose zgjedhjet e shpeshta e ulin besimin te institucionet demokratike dhe rrisin pakënaqësinë qytetare”, thotë Jakupi.
Sipas Jakupit, edhe procesi evropian vihet në rrezik.
“Integrimi evropian kërkon stabilitet qeverisës. Pa institucione funksionale, rruga e Kosovës drejt BE-së mund të ngadalësohet dukshëm”, përfundon analisti Zejnullah Jakupi




Të tjera
Si të ndaloni së ngrëni thonjtë
Katër mënyra për ta kuruar shpejt mykun e gojës
Kosova e sheh Finlandën si shembull dhe model