Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shpreson se lufta e Rusisë kundër Ukrainës do të zgjidhet para se Ukrainës t’i nevojiten raketat Tomahawk.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës priten demonstrata masive të shtunën, më 18 tetor, nga Nju Jorku deri në San Francisko, kundër politikave autoritare të presidentit Donald Trump. Kjo ditë mobilizimi, e organizuar nga lëvizja “Pa Mbretër”, është cilësuar nga e djathta amerikane si një “lëvizje urrejtjeje kundër Amerikës”, raporton AFP.
“Slogani ynë është i qartë: Presidenti mendon se pushteti i tij është absolut. Por në Amerikë, ne nuk kemi mbretër dhe nuk do t’i dorëzohemi kaosit, korrupsionit dhe mizorisë”, thuhet në deklaratën e organizatorëve të lëvizjes “Pa Mbretër”.
Sipas organizatorëve, më shumë se 2,700 tubime janë planifikuar në qytetet kryesore amerikane, por edhe në qyteza të vogla në shtetet republikane – madje edhe pranë rezidencës së presidentit në Mar-a-Lago, Florida, ku ai do ta kalojë fundjavën. Ata presin që në protestat e sotme të marrin pjesë disa milionë njerëz.
Në mesin e qershorit, i njëjti kolektiv, që bashkon rreth 300 organizata, kishte mbledhur miliona qytetarë në protestën më të madhe që nga rikthimi i republikanit në Shtëpinë e Bardhë. Po atë ditë, Donald Trump festoi 79-vjetorin e lindjes me një paradë madhështore ushtarake në rrugët e kryeqytetit amerikan.
Edhe pse në qershor kishte paralajmëruar se do t’u përgjigjej protestuesve me “forcë shumë të madhe”, këtë javë Trump u shpreh më i përmbajtur në një intervistë për “Fox News”, duke thënë: “Më quajnë mbret. Unë nuk jam mbret”.
Megjithatë, disa figura republikane kanë reaguar ashpër ndaj protestave të planifikuara, duke i krahasuar ato me terrorizëm.
Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i quajti protestat “mobilizim të urryer kundër Amerikës” dhe shtoi: “Vë bast se do të shihni mbështetës të Hamasit dhe antifa”. Ndërsa përfaqësuesi i Minesotës, Tom Emmer, akuzoi demokratët se “i janë dorëzuar krahut terrorist të partisë së tyre”.
Në anën tjetër, kongresmeni demokrat i Merilendit, Glenn Ivey, tha për AFP se “kjo lëvizje do të luajë një rol vendimtar në të ardhmen e Amerikës, prandaj e kuptoj pse janë nervozë”. Ai konfirmoi se do të marrë pjesë në demonstrata.
Ndër organizatorët kryesorë është edhe Deirdre Schifeling nga organizata e njohur për të drejtat civile dhe liritë publike, ACLU, e cila tha: “Përballë abuzimeve të pushtetit nga Donald Trump dhe aleatët e tij, ne nuk do të heshtim”.
Thirrjes për protestë i është bashkuar edhe aktori i njohur i Hollivudit, Robert De Niro, i cili në një video u bëri thirrje bashkëqytetarëve të ngrihen “pa dhunë” kundër “Mbretit Donald Trump”.
Që nga rikthimi i tij në pushtet në janar, Trump është akuzuar se ka cenuar ekuilibrat demokratikë, duke ndërhyrë në kompetencat e Kongresit dhe të shteteve, si dhe duke kërcënuar kundërshtarët me ndjekje ligjore.
Me një retorikë gjithnjë e më luftarake, ai ka vendosur trupa të Gardës Kombëtare në disa bastione të demokratëve, përfshirë Uashingtonin dhe Çikagon, ndërsa ka paralajmëruar veprime të ngjashme në Boston dhe Nju Orlins.
Protesta të ngjashme janë planifikuar edhe në Kanada, në Toronto, Vancouver dhe Ottawa.
Në mobilizimin e fundit kishin marrë pjesë edhe personalitete të njohura si aktori Mark Ruffalo dhe komediani Jimmy Kimmel, shfaqja e të cilit më pas u pezullua përkohësisht nën presionin e administratës Trump.
Të tjera
Gënjeshtrat që gratë e martuara ua thonë burrave
5 shenjat e horoskopit me karakter të fortë
Mungesa adekuate e gjumit sjell e rritë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit