Parlamenti i Türkiyes miratoi të martën në mënyrë unanime një mocion që dënon në “mënyrën më të ashpër të mundshme” gjenocidin e Izraelit në Gaza dhe sulmet e tij ndaj Iranit.
Mocioni, i nënshkruar nga kryetari i parlamentit turk, Numan Kurtulmuş, thekson se parlamenti ka ndjekur nga afër politikat e paligjshme dhe gjenocidale të kahershme të Izraelit, të cilat përbëjnë një kërcënim për mbarë botën.
Ai gjithashtu vuri në dukje sulmet në Gaza, të cilat çuan në masakrimin e dhjetëra mijëra njerëzve të pafajshëm, si dhe sulmet pasuese ndaj Iranit, duke treguar se qeveria izraelite po ndjek një strategji konflikti rajonal me synimin për të destabilizuar paqen në rajon.
“Për dekada të tëra, përveç pushtimit, shtypjes sistematike dhe diskriminimit, populli palestinez, që sot po përballet me gjenocid dhe vuajtje nga uria për shkak të mungesës së ndihmave, vazhdon luftën për ekzistencë. Qeveria dhe ushtria izraelite, duke shënjestruar civilët dhe fëmijët që prisnin ndihma, kanë kryer një krim tjetër të rëndë që hyn në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit.
Nga ana tjetër, sulmet e Izraelit ndaj Iranit po e përshkallëzojnë tensionin në rajon dhe po rrisin rrezikun e një lufte të madhe. Ky sulm është një hap provokues dhe kërcënues kundër bashkëpunimit ndërkombëtar dhe negociatave për çështjet bërthamore. Është e qartë se qeveria pushtuese izraelite është gjithashtu shkaktarja e një lufte rajonale,” thuhet në deklaratë.
“Do të vazhdojmë përpjekjet për një zgjidhje të përhershme në rajon”
Mocioni gjithashtu thekson se sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Palestinë, si dhe në Siri, Liban dhe Jemen, tregojnë se qeveria e Benjamin Netanyahut synon përhapjen e konfliktit.
U theksua se parlamenti turk qëndron në anën e të gjithë njerëzve të pafajshëm në rajon, kundër luftës dhe masakrave izraelite.
“Pa dyshim, proceset ligjore në vazhdim kundër Netanyahut dhe disa anëtarëve të qeverisë së tij, si brenda vendit ashtu edhe në trupat gjyqësorë ndërkombëtarë, do ta certifikojnë këtë administratë si gjenocidale. Agresioni dhe terrorizmi shtetëror i Izraelit e kanë dënuar prej kohësh atë dhe fuqitë imperialiste që e mbështesin në sytë e popujve,” thuhet në mocion.
“Si parlament turk, ne e dënojmë fuqishëm veprimtarinë e Izraelit, veçanërisht gjenocidin ndaj popullit të Gazës, të gjitha veprimet që kërcënojnë paqen rajonale dhe sulmet e fundit ndaj Iranit. Ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve dhe qeverive ndërkombëtare që kanë heshtur përballë agresionit të Izraelit të marrin përgjegjësi në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe diplomacinë,” thuhet në të.
“Duam të dihet se, me një qasje që vë në plan të parë paqen dhe jetën njerëzore, do të vazhdojmë përpjekjet për të vendosur një zgjidhje të përhershme në rajon. Në këtë drejtim, presim që bashkësia ndërkombëtare të marrë një qëndrim të fortë dhe parimor për të ndalur Izraelin. Ne edhe një herë shpallim përkushtimin tonë ndaj përpjekjeve diplomatike për të vendosur një paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe të barabartë në rajon,” përfundon deklarata
Të tjera
Veturat po bëhen më të zgjuara, siguria e tyre do të arrijë në një nivel tjetër
Audi paralajmëron rikthimin e makinave sportive me “një koncept sekret” në Mynih
SUV-i elektrik më i lirë i Volkswagen vjen së shpejti