Pas 5 Nëntorit: Analistët paralajmërojnë lëvizje të mëdha në skenën politike

Do të bëj çmos që të shmang zgjedhjet, kështu ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me liderët e partive politike të premten.

Osmani e cila ka afat kushtetues deri më 5 nëntor që të vendosë nëse do të shpallë zgjedhje të reja apo do të mandatojë dikë për të formuar ekzekutivin e ri, ka deklaruar se nuk kishte pajtueshmëri për çështjen e mandatarit të dytë për ta formuar qeverinë e re.

Presidentja ka lënë të kuptohet se në bazë të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese edhe nëse LVV-ja kërkon të mandatohet sërish për të formuar ekzekutivin, mandatar nuk mund të jetë Kurti pasi asaj i kërkohet që të mandatojë një person “tjetër”.

Mandatar nuk mund të jetë përsëri, por Kurti ka kërkuar si kryetar i partisë së parë në zgjedhjet e 9 shkurtit edhe disa ditë kohë para se të skadojë afati prej dhjetë ditësh për çështjen e mandatarit të dytë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë para mediave se në takim është bërë e qartë se askush nuk mund ta sigurojë shumicën për të formuar qeverinë

Sipas tij, zgjedhjet e reja tashmë janë të imponuara.

“Një situatë të tillë ka muaj që e kemi paralajmëruar. Në këtë moment, rruga përpara është vetëm shpallja e zgjedhjeve të reja”.

Njëjtë, kërkoi edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai theksoi se “sa më parë që i shpallim zgjedhjet, i shmangim krizat që mund t’i vihen vendit”.

Edhe, Ramush Haradinaj nga AAK është për zgjedhjet e reja, madje kërkoi që të mbahen sa më shpejt.

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Haradinaj tha se ajo ka afat që deri më 5 nëntor të vendosë nëse do të mandatojë dikë tjetër për të formuar ekzekutivin e ri apo do të shpallë zgjedhjet e reja.

Analistët politikë thonë se presidentja duhet t’i lejojë zgjedhjet e reja, por duke parë polarizimet politike edhe ato mund të mos sjellin përafërime.

“Zgjedhje në kohë krizash sjellin pak ndryshim”

Analisti politik, Skënder Zogaj, e konsideron gjendjen alarmante.
Image

Skender Zogaj

Sipas tij, pasi partitë e kanë ndarë mendjen për zgjedhjet e jashtëzakonshme, presidentja duhet t’ua lejojë një gjë të tillë.

“Gjendja e Kosovës është alarmante, në kulmin e një krize me pasoja tashmë të pa riparueshme dhe me pasoja afatgjata jo vetëm materiale por edhe shpirtërore, sepse, marrëdhëniet ndër njerëzore kanë degjeneruar si mos më keq! Kjo shihet edhe nga mospajtimet ekstreme partiake që për interesa pushteti po e sakrifikojnë shtetin e mezi krijuar që gjithashtu ndodhet në rrugëkryq historik! Takimi i krerëve politikë siç po shihet e kanë nda mendjen për zgjedhjet e jashtëzakonshme prandaj, nëse vërtetë e dëshirojnë këtë, Presidentja mendoj se duhet t’ua lejojë, pavarësisht nga tagri politik e historik që kanë”, deklaron Zogaj.

Sipas tij, takimi me presidenten ishte mundësia e fundit për “zgjidhje të zorit”.

“Zgjedhjet në kohë krizash sjellin pak ndryshim, mirëpo, janë më të mira se sa zhagitja që shkon kah ngulfatja shtetërore! Takimi i ri i liderëve partiak me Presidenten është mundësia e fundit për “zgjidhje të zorit” por varet si e kuptojnë krerët e partive “zorin”!?! Edhe një gjë: kurrë më të lodhur nuk kanë qenë qytetarët, dhe kësaj lodhje duhet me ia pas frikën. Të paktën kështu flet përvoja historike e të gjithë popujve dhe vendeve të botës! Te ballkanasit veçanërisht, historia ndryshon brenda ditës dhe vetëm me një krismë daulleje!”, shton analisti.

“Zgjedhje të treta brenda 2025, përbën precedent të pa ndodhur politik”

Ndërsa, Gani Qarri, analisti politik thotë se Kosova tanimë po rrezikon seriozisht që t’iu nënshtrohet edhe zgjedhjeve të treta brenda vitit 2025.

Duke parë koalicionet në nivel lokal, Qarri i sheh të pakuptueshme polarizimet në nivel qendror.

“Takimi i presidentes dr. Vjosa Osmani me krerët e partive politike në Kosovë, që fatkeqësisht serish nuk solli asnjë rezultat, vërtetoi edhe njëherë se për shkak të pamundësisë, që partitë politike të arrijnë marrëveshje apo konsensus ndërmjet tyre edhe në nivelin qendror, siç ka ndodhur të arrijnë në nivelin lokal, Kosova tanimë po rrezikon seriozisht që t’iu nënshtrohet edhe zgjedhjeve të treta, brenda vitit 2025, gjë që vërtetë përbën precedent të pa ndodhur politik, pas çlirimit të Kosovës nga Serbia okupatore. Pas disa koalicioneve ndërpartiake në nivelet lokale, partitë politike nuk kanë asnjë argument bindës që, të mos formojnë koalicion qeverisës edhe në nivelin qendror, për ta udhëhequr vendin bashkërisht të paktën për kohë të caktuar, apo deri në mars-prillin e vitit të ardhshëm kur dhe duhet të vendoset edhe për presidenten/in e shtetit, por nëse nuk gjendet ndonjë alternativ brenda afatit 4-5 ditor për daljen nga kriza aktuale, Presidentes së vendit, dr. Vjosa Osmanit, nuk do ti ngelet mundësi tjetër, përveç caktimit të zgjedhjeve të reja nacionale, vetëm disa javë apo rreth një muaj, pas përfundimit të balotazhit të votimeve në nivelet komunale. E derisa për votimet e balotazhit nëpër komuna LVV dhe LDK, arritën koalicion në Vushtrri, LVV dhe AAK formuan koalicion ndërpartiak në Prizren, Fushë-Kosovë e Junik, mbetet e pakuptueshme se pse polarizimet në nivel qendror janë kaq të mëdha dhe ku qëndron problemi që këto parti nuk mund të bashkëpunojnë edhe në nivelin qendror për ti dhënë Kosovës, përfundimisht edhe qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, deklaron Qarri.

Image

Gani Qarri

Foto galeri

Duke parë akuza dhe deklarata të skajshme polarizuese, analisti, ngrit dilemë nëse zgjedhjet mund të prodhojnë përafërim politik.

“Logjika e tillë përçarëse politike në nivel qendror mbetet vërtetë e pakuptueshme, ku armiqësia ka arritur përmasa alarmuese, sa të shfaqen edhe konfrontimet hapura ndërmjet palëve dhe të gjitha këto po ndodhin me arsyetimin banal, veçanërisht të partive të inkriminuara si veprime në të “mirë të qytetarëve”, nga të njëjtit udhëheqë dhe segmente politike, që lanë shtetin mbi 9 muaj pa qeveri legjitime e pa institucione funksionale duke insistuar ta detyrojnë me çdo kusht presidenten e vendit, ti shpallë edhe zgjedhjet e treta brenda një viti, në Kosovën e pasluftës. Në fakt siç e kemi parë të gjithë, krejt periudha nga 9 shkurti deri në fund të tetorit të këtij viti, ishte e mbushur përplot akuza dhe deklarata të skajshme polarizuese, andaj për rrjedhojë, qysh tani janë ngritur dilema të arsyeshme, nëse edhe zgjedhjet e reja mund të prodhonin përafrime më të mëdha politike, apo ndryshonin qasjet e skajshme negative, të partive aktuale në mënyrë thelbësore deri në ato përmasa pozitive sa përfundimisht të kuptohet nevoja urgjente e Republikës së Kosovës për krijimin sa më parë të një qeverie legjitime dhe institucioneve shtetërore funksionale. Përndryshe me qëndrime të tilla kaq distancuese e jo-konstruktive të segmenteve aktuale parlamentare, nuk mund të flitet më për logjikë të shëndosh të veprimit politik, konstruktivitet ndërpartiak as optimizëm të madh se edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, nga të njëjtat parti të inkriminuara, mund të pritet apo shpresohet për diçka më të mirë për qytetarët dhe shtetin e Kosovës”, shprehet analisti.

Tutje, ai shton se përgjegjësia në rast të shpalljes së zgjedhjeve të reja mbetet te qytetarët.

“Kështu që derisa, megjithëse ne tanimë kishim edhe një Kuvend të konstituuar, por partitë opozitare që nuk e votuan kabinetin e propozuar qeveritar nga kryeministri në detyrë z. Albin Kurti, e nuk pranuan as marrjen e mandatit për krijimin e qeverisë së re, ani pse edhe vet presidentja insistoi në marrëveshje, e madje me gjithë kundërshtimet për kompromise ndërmjet partive dhe deklaratat e opozitës se zgjedhjet janë të pashmangshme, Presidentja deklaroi se e ka detyrim të evidentojë zgjedhjet, nëse për arritjen konsensusit politik nuk tregohet mirëkuptim nga të gjitha palët dhe nuk ofrohen veprime të përbashkëta koncensuale në interes të vendit nga partitë aktuale politike dhe eventualisht brenda këtyre ditëve LVV nuk arrin të sigurojë numrin e mjaftueshëm qoftë edhe për formimin e një qeverie të pakicës, pas 5 nëntorit, as Presidentes nuk i mbetet rrugëdalje tjetër, përveç shpalljes së zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme brenda afatit kohor prej 40 ditëve. Dhe pas gjithë kësaj, përgjegjësia, pastaj bie direkt mbi qytetarët që ata të vendosin se kujt do t`ia falin besimin për qeverisjen e vendit në 4 vitet e ardhshme, nëse nga zhvillimet e deritanishme kanë marrë mësim dhe vendosin për një qëndrim më ndryshe, si dhe votim shumë më qartë, i cili nuk do të linte më mundësi, për lojëra domino të partive të inkriminuara as shkaktimin e krizave të reja politike, duke eliminuar tërësisht nga participimi në Kuvend të personave dhe segmenteve problematike që shkaktuan gjithë këtë katrahurë mbi 9 mujore institucionale duke rrezikuar mosmiratimin e buxhetit për vitin 2026, bllokimin e funksionimit të institucioneve dhe kolapsin total të shtetit të Kosovës, gjë që vërtetë është për çdo dënim dhe ndëshkim sa më të rëndë me votën e lirë të qytetarëve”, përfundon Qarri.

Kujtojmë, se zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 sollën fitoren e Lëvizjes Vetëvendosjes, mirëpo medoemos kandidati Albin Kurti do të duhej të bënte një koalicion, pasi fitoi vetëm 48 ulëse në Kuvend gjë që ia pamundësuan votimin e qeverisë.

Kurti refuzoi një koalicion me partinë e dytë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), qëndrim të njëjtë pati edhe PDK, ndërsa u refuzua nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Një mos pajtim për koalicion pati edhe me Nisma Socialdemokraten, ndërsa AAK deklaronte kundër koalicionit me LVV-në.