Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi është takuar edhe me Bersant Celinën, futbollistin e AIK-ut në Suedi, një ditë pasi u takua me Arbër Zenelin.
Këtë e konfirmoi vetë kreu i Federatës, i cili përmes një postimi në rrjetin social “Faceook” bëri me dije se ishte nën shoqërinë e mesfushorit kosovar.
Ademi është shprehur mirënjohës ndaj Celinës, i cili në moshë të re – dhe sa ishte një nga talentët më premtues në futbollin anglez – e pranoi Kosovën pa hezitim.
“Me Bersant Celinën, djaloshin që la Norvegjinë për të veshur fanellën e Kosovës.
Që në moshën 16-vjeçare u paraqit me Kombëtaren U21 në ndeshjet zyrtare, ndërsa vetëm një vit më vonë ishte në ekip me Kombëtaren A, në miqësoren historike Kosovë – Haiti, të zhvilluar në Mitrovicë.
Talenti i Manchester City-t, i njohur për teknikën e tij të jashtëzakonshme, u bë shpejt idhulli i tifozëve “Dardanët”. Jemi mirënjohës që, ndonëse kishte vështirësi në komunikim në gjuhën shqipe, Bersanti pa asnjë hezitim zgjodhi Kosovën me zemër. Për ne, ai ka një rol të veçantë në ndërtimin e kësaj Kombëtareje dhe kontributi i tij do të vlerësohet gjithmonë.
Pasi kaloi një periudhë të vështirë me lëndime dhe ndërrime klubesh, Bersanti tashmë është rikthyer fuqishëm, duke na kujtuar magjinë e tij të zakonshme në fushën e gjelbër.
Kënaqësi biseda dhe qëndrimi me djaloshin të cilit që nga dita e parë zemra i ka rrahur vetëm për Kosovën”, shkruan Agim Ademi në “Facebook”.
Celina nuk ishte i ftuar për ndeshjet e shtatorit të Kosovës, që i zhvilloi ndaj Zvicrës dhe Suedisë. Selektori i kombëtares, Franco Foda kishte bërë me dije se Celina e dinte arsyen se pse nuk e ka ftuar.
“Edhe Bersant Celina edhe Emir Sahiti e dinë arsyen se përse nuk janë ftuar në ekip këtë radhë. Me të dy kam biseduar, por kjo informatë nuk është për t’u ndarë me publikun. Në të ardhmen do të bisedoj prapë me ta dhe do të shohim…”, kishte thënë Foda në fillim të muajit.
Bersant Celina ka 36 paraqitje me kombëtaren e Kosovës, duke e shënuar edhe një gol.
Të tjera
Kosova po përfaqësohet dinjitetshëm në Osaka Expo 2025
Pas Arbër Zenelit, Agim Ademi i shkon në konak edhe Bersant Celinës
Një javë nga pezullimi i fillimit të dialogut strategjik, ish-diplomatët këshilla Kosovës që të mos i largohet SHBA’së