Të akuzuarit për kontrabandim me mallra, Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler janë dënuar me 33 mijë euro gjobë (së bashku) pasi paraprakisht kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.
Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjykatësi i rastit, Alban Ajvazi, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kujtim Fetoshi u dënua me 6 muaj burgim i cili dënim iu zëvendësua me 12 mijë euro gjobë, Abdullah Zeki Zerenler u dënua me 6 muaj burgim i cili dënim iu zëvendësua me 15 mijë euro gjobë, kurse Atakan Zerenler u dënua me 6 muaj burgim, i cili dënim iu zëvendësua me 6 mijë euro gjobë.
Gjykatësi Ajvazi tha se në dënim të akuzuarve iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Sa i përket shpenzimeve procedurale, gjykatësi obligoi të akuzuarit që të paguajnë nga 200 euro secili, ndërsa nga 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave.
Po ashtu, në këtë rast është i akuzuar edhe Milan Niqiq, por i njëjti është deklaruar i pafajshëm dhe ndaj tij është bërë veçimi i procedurës penale. Niqiq akuzohet se në cilësinë e doganierit në Aeroportin e Prishtinës lejoi tre të akuzuarit Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler të kalojnë pa kontroll në shirtin e kontrollës, e të cilët po bartnin me vete valixhe me barna të kontrabanduara në vlerë rreth 150 mijë euro. Tre të akuzuarit më pas u ndaluan nga Policia e Kosovës, ku edhe iu gjetën barnat e kontrabanduara.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 26 gusht 2025, Milan Niqiq në cilësinë e doganierit në Doganën e Kosovës, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke vepruar me dashje e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore të tani të akuzuarve Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler, nuk i përmbush detyrat e tij si person zyrtar, ashtu që më 2 maj 2025 derisa ishte në vendin e tij të punës në shiritin hyrës tek kontrolla dhe verifikimi në Aeroportin e Prishtinës, nuk i ka ndaluar për kontroll të akuzuarit Fetoshi, Zeki Zerenler dhe Zerenler, të cilët vinin nga shteti i Turqisë e që kishin me vete 7 valixhe të mëdha dhe 3 valixhe të vogla, e që më pastaj kur janë ndaluar nga Policia e Kosovës në pikë kontrolli ka rezultuar se të gjitha valixhet ishin të mbushura me barna të kontrabanduara pa banderola, vlera e të cilave, sipas inspektorëve faramceutik ishte rreth 150 mijë euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerelner dhe Atakan Zerelner, më 2 maj 2025, duke vepruar bashkëkryerje, duke kaluar vijën kufitare bartin mallra dhe shmangin kontrollin doganor, kryejnë barjten e mallrave dhe kalojnë vijën kufitare.
Me këtë, në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311, par.3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.



Të tjera
Si mund të lehtësojmë dhimbjet e trupit
West Ham po shqyrton transferimin e Albion Rrahmanit
Ramush Haradinaj premton ujë të pijshëm dhe energji lokale për Suharekën