Disa prej rrjeteve televizive në Shtetet e Bashkuara mund të humbasin licencën. Paralajmërimi vjen nga vetë presidenti amerikan, Donald Trump, ndërsa mbështeti organin mbikëqyrës të transmetimeve të SHBA-ve në një debat mbi pezullimin e prezantuesit televiziv, Jimmy Kimmel.
“Lexova diku se rrjetet televizive ishin 97% kundër meje. Marr 97% mbulim negativ, megjithatë fitova lehtësisht. Fitova të shtatë shtetet e lëkundura, me votën popullore, fitova gjithçka. Dhe ata janë 97% kundër, më japin publicitet krejtësisht të keq… Ata zotërojnë një licencë, por mendoj se ndoshta licenca e tyre duhet të hiqet”, tha Trump.
ABC e ka hequr komedianin nga transmetimi “për një kohë të pacaktuar” pas komenteve të tij në lidhje me vrasjen e aktivistit politik konservator, Charlie Kirk, në Utah javën e kaluar. Kimmel duket se sugjeroi që i dyshuari ishte një mbështetës i Trump, shkruan A2 CNN.
Megjithatë, zyrtarët kanë thënë se ai ishte “i indoktrinuar me ideologji të majtë”. ABC e mbylli emisionin pasi Komisioni Federal i Komunikimeve, i kryesuar nga një i emëruar nga Trump, kërcënoi me veprime rregullatore, duke ngritur shqetësime se administrata Trump po kufizon lirinë e fjalës së kritikëve të saj. Kreu i Komisionit Federal të Komunikimeve e bëri të qartë gjithashtu se “pezullimi i Jimmy Kemmel nuk është surpriza e fundit”.
Studiuesit ligjorë thonë se amendamenti i parë i Kushtetutës së SHBA-së, i cili mbron lirinë e fjalës, do ta pengonte Komisionin të revokonte licencat për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Shkrimtarë, aktorë dhe demokratë të shquar e kanë dënuar pezullimin e Kimmel. Ish-presidenti amerikan Barack Obama tha se administrata Trump e kishte çuar kulturën e anulimit në një “nivel të ri dhe të rrezikshëm duke kërcënuar rregullisht me veprime rregullatore kundër kompanive mediatike, përveç nëse ato i mbyllin gojën ose i pushojnë nga puna gazetarët dhe komentatorët që nuk i pëlqejnë”. Prezantuesit e emisioneve të vona të natës janë mbledhur në mbështetje të Kimmel.



Të tjera
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rrymës të shtunën
Llojet më të shpeshta të alergjive
SHBA ofron deri në 10 milionë dollarë shpërblim për informacione mbi liderët iranianë