Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se lajmi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria ishte “i pritshëm”.
“Tani është e qartë se sa i rëndësishëm ishte qasja liberale e Bashar al-Assad ndërsa ishte në krye të Sirisë, dhe gjithashtu është e qartë kur vjen dikush që është nën ndikim të madh të njërit prej vendeve kryesore në rajon, siç është Turqia”, tha Vuçiq gjatë një konference për media në Uzbekistan më 30 tetor.
Vuçiq shtoi se në Siri “marrin urdhër dhe veprojnë sipas urdhrit” dhe tha se Serbia do të ketë diçka “me të cilën t’i gëzojë”, por nuk sqaroi se çfarë është fjala.
Siria njohu pavarësinë e Kosovës më 29 tetor, njoftuan zyrtarët e të dy vendeve.
Siria – shtet në Lindjen e Mesme – ka përmirësuar marrëdhëniet me vendet perëndimore pas rrëzimit nga pushteti të presidentit Bashar al-Assad në dhjetor 2024, gjatë një ofensive të udhëhequr nga grupi islamist Hayat Tahrir al-Sham (HTS).
Vuçiq më 30 tetor tha po ashtu se në njohjen e Kosovës nga Siria sheh “të njëjtin stil si vitin e kaluar nga Antalia”.
Sudani, shtet në verilindje të Afrikës, njohu pavarësinë e Kosovës në prill të vitit 2025.
Siria bëhet shteti i tretë që këtë vit njeh pavarësinë e Kosovës, pas Sudanit dhe Kenias.
Serbia ka reaguar ashpër ndaj njohjeve të fundit të Kosovës, teksa Beogradi ende e konsideron Kosovën pjesë të tij, 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë.
Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova njihet nga 120 vende të botës. / REL



Të tjera
Këto janë ushqimet që largojnë yndyrën në gjak
Mjaltë me vaj ulliri herët në mëngjes, trajtimi një javor i shëndetit
Luhatjet e presionit të gjakut sjellin këto sëmundje serioze neurologjike