Kosova është pjesë e Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), një prej forumeve më të rëndësishme diplomatike ndërkombëtare që këtë vit përkon me përvjetorin e 80-të të themelimit të OKB-së.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, po qëndrojnë në New York, ku po marrin pjesë në një sërë takimesh bilaterale dhe sesione të veçanta që synojnë forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët globalë.
Në kuadër të takimeve të shumta me persona të rëndësishëm ndërkombëtarë, presidentja Vjosa Osmani, është takuar edhe me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Në njoftimin e saj, Osmani ka theksuar se marrëdhëniet me SHBA-të mbeten thelbësore për shtetin e Kosovës.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka filluar takimet me kongresistin republikan, Keith Self, në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork, me të cilin, sipas njoftimit, bisedoi për raportet Kosovë-SHBA, për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë si dhe për rolin aktiv të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Kurti gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mori pjesë edhe në festën e ditëlindjes së ish-kongresistit dhe ish-kreut të Ligës Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi dhe bashkëshortes së tij, Shirley Cloyes DioGuardi, të cilët prej dekadash janë angazhuar fuqishëm në mbështetje të çështjes shqiptare.
Kryeministri ka njoftuar për një takim edhe me hulumtuesen e lartë, Leah Zamore, të Institutit Zolberg mbi Migrimin dhe Mobilitetin në kuadër të universitetit The Neë School në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në ngjarjen me titull “Mbështetja ndaj qytetarëve në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova”, ku kanë diskutuar se si Kosova ka arritur jo vetëm t’i ndihmojë qytetarët e saj të përballen me krizën, por edhe ta bëjë këtë pa rritur normat tatimore dhe pa rritur borxhin publik.
Opinionisti Lirim Gashi, thotë se takimet me liderët botërorë, përfshirë edhe presidentin Donald Trump, dëshmojë qartë se Kosova nuk është e shtyrë në qoshen e historisë, por e pranishme në qendrën e diskutimeve aktuale globale.
“Përfaqësimi i Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është një hyrje e Kosovës në skenën botërore me dinjitet dhe me zë të qartë. Nuk bëhet fjalë për shfaqje protokollare, por për një dëshmi se shteti ynë i vogël ka fuqinë të flasë mes të mëdhenjve. Takimet me liderët botërorë, përfshirë edhe Presidentin Donald Trump, e dëshmojnë qartë se Kosova nuk është më e shtyrë në qoshen e historisë, por e pranishme në qendër të diskutimeve aktuale globale. Është një kontrast i thellë me të kaluarën, kur udhëheqësit tanë i përdornin sallat e diplomacisë për pazare personale dhe jo për të mbrojtur interesin kombëtar”, deklaron Gashi.
Sipas tij, opozita e zhytur në korrupsion, kërkonte ta bindte popullin se Kosova është e braktisur, por realiteti flet ndryshe.
“Po hidhen poshtë deklaratat se SHBA i ka kthyer shpinën Kosovës dhe Kosova do të mbetet e izoluar, këto deklarata tashmë janë shkrirë si akulli nën diellin e vërtetësisë. Propaganda e brendshme, e ushqyer nga opozita e zhytur në korrupsion, kërkonte ta bindte popullin se Kosova është e braktisur. Por realiteti po flet ndryshe: takimet me liderët amerikanë dhe europianë janë dëshmi se ShBA dhe aleatët e tjerë nuk ia kanë kthyer shpinën Kosovës – përkundrazi, po e dëgjojnë më me vëmendje se kurrë. Ata që flisnin për izolim, në fakt, projektonin izolimin e tyre moral dhe politik. Kosova nuk është e vetmuar; e vetmuar është vetëm kasta e vjetër, që e ka humbur lidhjen me popullin dhe me botën”, shton opinionisti.
Në rast të zgjedhjeve të reja në Kosovë, ky imazh në SHBA do të ketë ndikim të madh te populli thotë Gashi, gjersa shton se populli duhet të zgjedh midis një Kosove që respektohet në OKB dhe një Kosove që dikur shitej në pazare të errëta.
“Kjo paraqitje është si një pasqyrë e re për Kosovën: Një shtet i vogël, i lënduar nga historia, po ecën me kokën lart në sallat e mëdha të New York-ut. Brenda vendit, kjo sjell shpresë dhe besim te qytetarët, sepse ata e shohin se zëri i tyre përfaqësohet me dinjitet. Në rast të zgjedhjeve të reja, ky imazh do të ketë ndikim të madh – populli do të zgjedhë midis një Kosove që respektohet në OKB dhe një Kosove që dikur shitej në pazare të errëta. E ardhmja nuk i përket nostalgjikëve të korrupsionit, por atyre që i japin vendit tonë vendin që i takon në botë”, përfundon Gashi.



Të tjera
Përdorni birrë për shkëlqimin e flokëve dhe lëkurës
Gratë që përdorin antibiotikë më të rrezikuara nga sëmundjet e zemrës
Duhet apo jo ta ruash bukën në frigorifer?