PDK akuzon Qeverinë për krizën energjetike

PDK akuzon Qeverinë për krizën energjetike

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka deklaruar se kriza energjetike dhe reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike në ditët e fundit janë pasojë e drejtpërdrejtë e keqmenaxhimit të sektorit të energjisë nga Qeveria Kurti.

Në një konferencë për media, Mustafa tha se barra e këtij dështimi po bie mbi qytetarët dhe bizneset, të cilët, sipas tij, po paguajnë çmime të larta për energjinë elektrike, por po përballen me mungesë të furnizimit të qëndrueshëm dhe pasiguri energjetike.

“Kosova sot po përballet me një krizë serioze energjetike, të shoqëruar me reduktime të shpeshta në të gjithë territorin. Është e papranueshme që qytetarët të mbesin në errësirë dhe pa ngrohje gjatë dimrit, në kohën kur nevoja për energji është jetike. Kjo krizë është rezultat i një keqmenaxhimi pesëvjeçar, të papërgjegjshëm dhe pa vizion nga kjo Qeveri”, deklaroi Mustafa.

Ai theksoi se PDK shpreh solidaritet të plotë me qytetarët e Kosovës, të cilët, sipas tij, po përballen me reduktime në temperatura të ulëta, pasiguri në furnizim dhe kosto të papërballueshme.

Mustafa shtoi se, për shkak të dështimit për të siguruar prodhim të mjaftueshëm vendor të energjisë elektrike, Kosova është detyruar të rrisë importin, i cili po realizohet me çmime shumë të larta dhe në dëm të interesit publik.

Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të mos arsyetohet për situatën aktuale, por të ndërmarrë veprime urgjente për tejkalimin e krizës.

“Kërkojmë masa emergjente për stabilizimin e furnizimit me energji, transparencë të plotë për kontratat e importit dhe një plan të qartë e të besueshëm për garantimin e sigurisë energjetike. Është shqetësuese që një sektor i shoqëruar për vite me radhë me afera dhe dyshime për korrupsion të mos përballet me asnjë llogaridhënie”, tha Mustafa.

Ai paralajmëroi se, sapo të konstituohet Kuvendi i Kosovës, PDK do të inicojë themelimin e një komisioni të ri parlamentar hetimor, me mandat gjithëpërfshirës për të hetuar keqmenaxhimin dhe dyshimet për keqpërdorime në sektorin e energjisë gjatë viteve të fundit.

“Qëllimi është zbardhja e të vërtetës, përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe institucionale dhe garantimi i transparencës ndaj qytetarëve. Kosova ka nevojë për përgjegjësi dhe vizion. Qytetarët meritojnë siguri në furnizim, jo kriza të pafundme dhe justifikime boshe”, përfundoi Mustafa./rtk