Kuvendi i Kosovës as në tentimin e 57-të me radhë nuk ka arritur të konstituohet.
Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, në seancën e mbajtur të dielën propozoi tre kandidatë për kryeparlamentar, mirëpo të njëjtit nuk arritën të marrin shumicën e votave prej 61 sosh.
LVV fillimisht propozoi për herë të dytë Hekuran Muratin, i cili nuk u votua.
Pas Muratit u propozua edhe Arbërie Nagavci, edhe e njëjta dështoi. E propozimi i tretë ishte deputeti Dimal Basha i cili gjithashtu nuk arriti të marrë 61 vota.
Lidhur me situatën e krijuar, Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se ndryshimi i kandidatit nga LVV dhe propozimi i dikujt që s’ka pasur pozitë ministrore është hap pozitiv dhe afrim drejt zgjidhjes – të paktën nominalisht.
“Mbase nuk i përgjigjet plotësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare, por gjithsesi shkon në drejtimin e duhur”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe disa deputetë të tjerë që nuk iu qëndruan prapa deklaratave të tyre.
“Në anën tjetër, PDK-ja dhe disa deputetë të tjerë nuk iu qëndruan pas deklarimeve të tyre. Edhe pse vetë kishin vendosur si kriter mbështetjen vetëm për kandidatë që nuk kanë qenë ministra, sot nuk votuan për një të tillë. Nuk ka rëndësi se si e arsyetojnë – mospërputhja me qëndrimet e mëhershme është fakt”, ka theksuar Cakolli.
Cakolli ka shtuar se në këtë situatë mosbesimi e loje nervash, zgjidhja nuk është më aq e largët.
“Megjithatë, ajo varet nga vullneti i LVV-së për konsultim real dhe konstruktiv dhe nga gatishmëria e grupeve tjera për t’iu qëndruar pas premtimeve të tyre publike”, u shpreh ai.
Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka kritikuar PDK-në për qëndrim jo parimor.
“LVV e ndërroi kandidatin për kryeparlamentar dhe propozoi një deputet që s’ka qenë pjesë e ekzekutivit. Partia Demokratike e Kosovës abstenoi (nuk votoi kundër) edhe pse kishte premtuar ndryshe në publik. Qëndrim jo parimor dhe mashtrim publik”, ka shkruar Miftaraj.
Miftaraj ka theksuar se LDK në anën tjetër që nga fillimi kanë qenë parimor se nuk do votojnë askënd nga LVV.
“Arsyetimet koti pas seancës janë pa ndonjë vlerë. Kosova ka nevojë për Kuvend te konstituuar për ti hap rrugë formimit të qeverisë. Kosova ka nevojë për institucione legjitime për t’i dhënë fund kolapsit institucional. PDK provoi, dështoi!”, ka shkruar Miftaraj.
Ditë më parë Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë ku përcaktohet që legjislativi i ri duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, afat ky që përfundon më 18 shtator.
Të tjera
LVV në Artanë distancohet nga kandidati për asamblist që u arr*estua
Kosova qëndron fuqishëm përkrah jush
Shefi i OBSH-së kërkon mbrojtje për shëndetin dhe punonjësit e ndihmës në Gaza pas lirimit të një punonjësi nga Iz*raeli