PDK nuk ndryshon qëndrim: S'ka votë as për Konjufcën, as për buxhetin | Shala: Osmani, zëdhënëse e Kurtit!

PDK nuk ndryshon qëndrim: S’ka votë as për Konjufcën, as për buxhetin | Shala: Osmani, zëdhënëse e Kurtit!

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po trajtohet çështja e buxhetit dhe roli i presidentes në këtë proces.

Ai për Blic Interview me Astrit Gashin e ka cilësuar “të pandershme institucionalisht” mënyrën e prezantimit të buxhetit, duke akuzuar presidenten për anshmëri politike dhe mungesë korrektësie.

“Puna e buxhetit është institucionalisht e pandershme. Nuk kisha pas qef që asnjë presidente ta shoh kaq anuese, kaq politike dhe kaq jokorrekte. Presidentja po mundohet të jetë zëdhënëse e Qeverisë Kurti, pra faji nuk është i opozitës, por i atyre që i kanë fituar votat dhe nuk kanë pasur vullnet politik t’i krijojnë institucionet e shtetit, tash e 9 muaj,” tha Shala.

Ai sqaroi se qëndrimi i PDK-së edhe për votimin e Glauk Konjufcës si kryeministër i Kosovës mbetet i pandryshuar, duke theksuar se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e asnjë procesi që forcon Qeverinë Kurti.

“Sa i përket çështjes së votës për Glauk Konjufcën, qëndrimi i PDK-së nuk ka ndryshuar dhe nuk ka mundësi të ndryshojë. Ne nuk kemi votë për qeverinë Kurti, sepse Konjufca është Kurti realisht”, shtoi tutje ai.

Deputeti i PDK-së kritikoi ashpër ndërhyrjen e presidentes në procesin e buxhetit, duke theksuar se ajo po tejkalon kompetencat ligjore dhe po e shkel Kushtetutën.

“Unë jam deputet që kam dhënë betimin dhe kush është institucioni që mua ma sjell buxhetin, cila qeveri, kur ende s’ka. Presidentja nuk mundet ta bëjë një gjë të tillë. Ligji është që çështja e miratimit, debatit, kalimit në komisione parlamentare deri tek miratimi, bëhet në Kuvend. Këto nuk është që Presidentja nuk i di, por po e luan rolin e zëdhënëses. Këtu është fatkeqësia e madhe, nuk ka bazë ligjore me ardhë nga kjo qeveri në detyrë me e sjell buxhetin”.

Sipas tij, mënyra se si po trajtohet procesi i buxhetit është “100 për qind antikushtetuese”.

“Nuk ka mundësi që të njëjtit njerëz e votojnë buxhetin në qeveri, po të njëjtit janë edhe deputetë dhe me ardhë ta votojnë edhe në Kuvend. Kjo nuk është lojë e mahallave.

Në fund, Shala akuzoi Qeverinë Kurti se po përpiqet të manipulojë opinionin publik për të fshehur dështimet e saj shumëvjeçare:

“Qeveria Kurti në mënyrë që ta mbulojë skandalin menaxhues katërvjeçar, aferat korruptive, izolimin e vendit në arenat ndërkombëtare, humbjen e 1.5 miliardë eurove të fondeve të ndryshme nga BE-ja, largimin e gjithë partnerëve e shumë të tjera, po orvaten që të manipulojnë opinionin me çështjen e buxhetit”, tha Shala për Blic Interview me Astrit Gashin.

Intervista e plotë: