PDK thotë se ka marrë mbi 175 mijë vota për kuvendet komunale

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Partia Demokratike e Kosovës ka arritur në nivel vendi, në garën për Kuvendet Komunale, të marrë mbi 175 mijë vota.

Sipas njoftimit të PDK-së, ajo është para Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me 168 mijë vota dhe para Lëvizjes Vetëvendosje (VV) me 156 mijë vota.

PDK ka fituar në raundin e parë në tri komuna: Ferizaj, Skënderaj dhe Han i Elezit.

“Ndërkohë, bazuar në rezultatet preliminare, Partia Demokratike e Kosovës do të garojë në balotazh në gjashtë komuna, prej të cilave në katër është e para. Komunat ku PDK-ja shkon si e para në balotazh janë: Prizreni, Mitrovica, Vushtrria dhe Kaçaniku. Ndërsa në Klinë dhe Dragash, PDK shkon si e dyta në balotazh,” thekson PDK.

Në tërësi, në garën për kryetarë në nivel vendi, PDK ka dalë e dyta me 200 mijë vota.

Në të gjithë Kosovën, janë të panumëruara edhe 84 vendvotime të tjera, dhe ky rezultat mund të rritet edhe më shumë.