Pep Guardiola përballë sfidës më të vështirë në Man City – Ekonomia Online

Pep Guardiola përballë sfidës më të vështirë në Man City

Pushteti i pathyeshëm i Manchester Cityt kishte filluar të lëkundej që sezonin e kaluar, e tani, pas dy humbjeve në tri ndeshjet e para të këtij edicioni, çarjet janë thelluar edhe më shumë.

Ajo që dikur ishte makina më dominuese e Premierligës, papritmas duket e cenueshme. Madje edhe pas lëvizjeve të fundit në tregun e transferimeve.

Ardhja në ditën e fundit të afatit e Gianluigi Donnarummës, i cili nënshkroi për të zëvendësuar Edersonin pas kalimit të tij te Fenerbahçe, është vetëm një shtresë e ndryshimeve. Donnarumma është portier i nivelit botëror, por jo i tipit që zakonisht lidhet me Guardiolën.

Gjërat po ndryshojnë, dhe shenjat kanë qenë graduale, por të qarta. Përveç Edersonit, gjatë verës janë larguar edhe emra si Kevin De Bruyne, Kyle Walker, Jack Grealish, James McAtee, Ilkay Gundogan dhe Manuel Akanji. Pa shumë zhurmë, një nga skuadrat më të mëdha që ka parë ndonjëherë Premier League është shpërbërë.

Dhe tani, vëmendja është e gjitha te Rodri.

Mesfushori dirigjent dhe fituesi i Topit të Artë 2024 ka edhe dy vite kontratë, por ende nuk e ka rinovuar. Interesimi i hershëm i Real Madridit mbetet i gjallë, dhe ndjesia është se, nëse City nuk arrin ta rivendosë veten në majë, spanjolli mund të joshet për t’u rikthyer në qytetin e tij.

Brenda Etihad-it pranojnë se ekziston shqetësim. Rodri është i pazëvendësueshëm, zemra e sistemit të Guardiolës dhe rrjeti i sigurisë që u lejon yjeve të sulmit të shkëlqejnë. Humbja e tij do të ishte më shumë se një largim tjetër i profilit të lartë. Do të ishte shenja më e qartë se një epokë po mbyllet.

City ka kaluar tranzicione edhe më parë, por Pep Guardiola tani gjendet përballë sfidës së tij më të vështirë në Angli. Ai ka rindërtuar skuadra, por jo nga një pozitë kaq e brishtë. Ky grup duket më pak i sigurt, më pak i paprekshëm. Dhe nëse Rodri fillon të dyshojë në drejtimin e klubit, përballja me një tjetër lamtumirë të dhimbshme bëhet e pashmangshme. Burimet thonë se ai me të vërtetë po e peshojnë të ardhmen e tij.

Ky nuk është më mekanizmi fitues i viteve të fundit. Për City-n, çështja nuk është vetëm ndjekja e një titulli tjetër, por dëshmia ndaj vetë lojtarëve se ende i përkasin majës absolute.