Shpesh herë shohim e dëgjojmë në debate televizive analistë, politikanë dhe njerëz të tjerë naivë ose të ndikuar, të cilët e shesin ndarjen e Kosovës si “të keqen më të vogël”, sidomos krahasuar me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Të martën e shkuar në debatin televiziv në Euronews Albania u shfaqën nja dy a tre specie të tilla, fatkeqësisht të rinj në moshë dhe në ekran. Ata gjatë gjithë debatit thoshin si me mburrje se “Asociacioni është më i rrezikshëm për Kosovën, sesa ndarja e saj”! Madje e motivonin me “argumentin” se Asociacioni ndikon në gjithë komunat me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa ndarja përfshin vetëm katër komuna të tilla?! Dhe me këtë “argument” na thoshin se “Është bërë gabim që u kundërshtua ideja e Aleksandër Vuçiq, Edi Ramës dhe Hashim Thaçit për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e saj”! Dukej madje sikur mburreshin me përpjekjet e para vitit 2021 për t’i dhënë Serbisë pasuritë më të çmuara të Kosovës!
Jam i bindur se gojët e plasaritura të këtyre analistëve nuk e dinë se çfarë flasin. As nuk kanë njohuritë politike, gjeografike, gjeofizike, gjeopolitike, demografike, si dhe historike për Kosovën dhe për marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Nëse do të kishin pak njohuri të tilla, nuk besoj se do t’i besonin tezave që lëshojnë “si lopa bajgën” në emisione televizive. Më duhet të them se edhe shumë moderatorë janë mediokër në njohuritë që kanë për Kosovën dhe nuk dinë tjetër, veçse të ndjekin e madje të mbështesin teza dhe ide anti-kombëtare, si kjo që përmenda më lart. Të dy palët pajtohen për ta trajtuar Kosovën si plaçkë tregu midis një ose disa Fuqive të Mëdha. E shohin atë si “të drejtë që i takon Serbisë”! E përdorin njëkohësisht për të bërë “profetin” pra parashikuesin, se çfarë do të bëhet dhe për të thënë se me këto parashikime janë “të ditur” e “të lexuar”! Por ju mungon në çdo rast argumenti. Nuk po flas për zgjidhje të drejta, por për argumente.
Së pari, ndarja e Kosovës nuk është në rend dite në asnjë formë dhe në asnjë tryezë, përveçse atë të Beogradit dhe të zyrave anti-shqiptare në Tiranë. Gjithashtu përveçse në ekranet tona të turpshme televizive. Detyra e medies në gjuhën shqipe është të mbrojë interesin kombëtar. Të nxisë debatin me argumente në mbrojtje të këtij interesi dhe jo të përçojë tezat dhe idetë serbe për realizimin e asaj që ata e quajnë “Bota serbe”! Me apo pa vetëdije, me qëllim apo nga naiviteti, kjo mbetet në ndërgjegjen e secilit prej atij/asaj që predikon ndarjen e Kosovës, gjoja në emër të më të mirës në raport me krijimin e Asociacionit.
Së dyti, edhe nëse ndarja e Kosovës do të vihej hipotetikisht në rend dite, atë do të duhet ta firmosin përfaqësuesit legjitimë të saj. Pas skandalit propagandues të Thaçit, Vuçiq dhe Edi Ramës për ndryshimin e kufijve, zor se do të dalë dikush në Kosovë që ta pranojë këtë opsion. Sepse tashmë është e konfirmuar: – Kush pranon ndarjen e Kosovës në emër të “korrigjimit të kufijve”, ai përfundimisht shënohet në librin e zi të tradhtisë kombëtare. Sepse kjo çon automatikisht në shuarjen e shtetit dhe ndarjen e tij midis Shqipërisë dhe Serbisë. Ndaj dhe mund të besojmë se debati zhvillohet me qëllim që të relativizohet pikërisht kjo qasje vlerësuese për këdo që luan mendsh dhe pranon ndarjen e Kosovës.
Së treti, këta analistë, të cilëve u flet gjuha dhe jo dija e mendja, as nuk marrin mundimin të analizojnë interesat e të mëdhenjve në këtë kohë zhvillimesh dinamike gjeopolitike. Ta zëmë se dikush nga të mëdhenjtë e botës arrin ta artikulojë opsionin e ndarjes së Kosovës. Po të tjerët? Ambasadori britanik në OKB deklaroi përkrahjen e vendit të tij për shtetësinë e Kosovës. Po ashtu ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe gjatë vizitës së tij në Kosovë. Perëndimi, përfshirë SHBA-të, janë për mbështetjen e pavarësisë dhe ruajtjen e integritetit territorial. Kjo ndodh, sepse Perëndimi që sponsorizoi shtetin e Kosovës ka interesa jetike për këtë. Në kushtet kur Serbia është e vendosur të vazhdojë aleancën strategjike të saj me Rusinë, nuk ka asnjë shans që të diskutohet ndarja e Kosovës. Sepse asnjë vend perëndimor nuk ka interes për këtë. Pse atëherë këta analistët “mendjendritur” të predikimit të ndarjes nuk i artikulojnë këto argumente, por thonë se “Është më mirë ndarja sesa Asociacioni”?! E çuditshme! Ose janë të padijshëm, ose misionarë të verbër!
Së katërti: Asociacioni nëse krijohet do të bazohet në kushtetutën e Kosovës. Ky ka qenë dhe është kusht i krijimit të tij. Si është e mundur që një asociacion i bazuar në kushtetutë të bëhet “më i rrezikshëm” sesa ndarja e Kosovës?! Apo fantazia duhet ta zëvendësojë arsyen dhe racionalen?! E paimagjinueshme!
Dhe së pesti, kur përmendet një akt hipotetik si ai “për tërheqjen e KFOR-it amerikan nga Kosova, nëse nuk pranohet ideja e ndarjes së saj”, protagonistët e këtij kërcënimi duket qartë se duan me çdo kusht që vetë autoritetet e Kosovës të heqin dorë nga çdo zgjidhje e konfliktit Kosovë-Serbi, përveç opsionit të ndarjes së saj. E në fakt askush, asnjë amerikan, nuk e ka artikuluar këtë mundësi. E shpikin “dijetarët” injorantë të ekraneve shqip-folëse dhe më pas për klikime e cytin debatin për më tej moderatorët. Ky është absurditeti më i madh i shekullit.
Por edhe sikur një nga aleatët e fuqishëm të shqiptarëve të rekomandonte si zgjidhje humbjen e territoreve për Kosovën, është detyrë e medies shqiptare që të sjellë në vëmendje argumentin se “ndarja e Kosovës është akt tradhtie”! Ndërkohë duhet sjellë argumenti tjetër se ka fuqi të tjera, të cilat janë kategorisht kundër. Dhe sa kohë që nuk ka konsensus kombëtar e ndërkombëtar, cenimi i territorit të Kosovës është krejt i pamundur! Por mendjemëdhenjtë analistë nuk duan t’i përdorin argumentet që përmendëm. Këmbëngulin me arrogancë se “Krijimi i Asociacionit serb është më i rrezikshëm sesa ndarja e Kosovës”! Dhe kjo këmbëngulje kalon në TV e shqipeve gati pa oponencë, pa kundërshti. Merret si e mirëqenë, si e “drejtë që buron nga fjala e lirë”! Bëni thirrje që ta shpërbëjmë kombin shqiptar atëherë dhe quajeni edhe këtë si liri të shprehjes!
Ruaje Zot Kosovën dhe Shqipërinë prej shqiptarëve si këta!
Të tjera
Krasniqi kërkon që Kushtetuesja ta refuzojë ankesën e Listës Serbe
Pas Graçanicës Posta e Kosovës merr objektin edhe në Shtërpcë ku ishte duke operuar ilegalisht Posta e Serbisë
Tek Juventusi, unë e përfaqësoj krejt popullin shqiptar