Shoqëria e Avokatëve “Vokshi & Lata” po sjell edicionin e dytë të “Legal Guide to Investing in Kosovo”, një udhëzues ligjor për investimet në Kosovë. Ky botim synon të ofrojë informacion të përditësuar mbi rregullat ligjore duke i dhënë investitorëve të huaj një pasqyrë të qartë për mundësitë e investimit në vend.
Avokati Urim Vokshi tha se ky edicion i dytë i këtij udhëzuesi ka për qëllim të rrisë interesimin për investitorë të huaj.
“Për nder të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, sivjet publikojmë edicionin e dytë të Legal Guide to Investing in Kosovo. Ky është një udhëzues ligjor për investimet në Kosovë. Versioni i parë është pritur mjaft mirë prej investitorëve të huaj, është prezantuar në disa shtete të botës, përfshirë Amerikën, Austrinë, Zvicrën dhe shtete të tjera. Duke parë pritjen e cila i është bërë edicionit të parë, kemi vendosur që sivjet të bëjmë edicionin e dytë me përditësimet ligjore të cilat kanë ndodhur”, u shpreh Vokshi.
Sipas Vokshit, ky udhëzues është gjithëpërfshirës për investorët e huaj, pasi që përmbledh të gjitha aspektet ligjore dhe praktike të investimit në Kosovë.
Lexo po ashtu
Osmani dhe Kastrati inspektojnë digën e Mirushës pas rrezikut nga vërshimet
“Është diku 170 faqe gjithsej, që përfshin 16 kapituj të ndryshëm, përfshirë investimet e huaja, rregullativën për hapjen e biznesit në Kosovë, aspektin e taksave, të drejtat e punëtorëve dhe të gjitha aspektet e tjera të cilat ju interesojnë investitorëve të huaj. Publikimi është bërë duke u bazuar në pyetjet e shpeshta të cilat i marrim prej investitorëve të huaj, të cilët interesohen për rregullativën ligjore para se të vijnë të investojnë në Kosovë” , tha ai.
Edicioni i parë i këtij udhëzuesi ishte publikuar në gjuhën angleze, gjermane dhe franceze ndërsa shumë shpejt pritet të botohet edhe udhëzuesi për të bërit biznes në gjuhën shqipe.
Vokshi thotë se përveç botimit të udhëzuesit ligjor, Shoqëria e Avokatëve Vokshi & Lata ka bërë hapa të rinj për të lehtësuar qasjen e investitorëve të huaj në informacionin mbi mundësitë e investimit.
“Udhëzuesi ligjor është i qasshëm pa pagesë në faqen tonë, por përveç kësaj, risia këtë vit është se kemi bërë edhe një website të dedikuar investimeve në Kosovë, i cili është investinginkosovo.com, ku qëllimi i këtij website-i është që së bashku me partnerët tanë të prezantojmë Kosovën sa më mirë për të tërhequr investitorë të huaj për të ardhur me investu në Kosovë, përfshirë fusha të ndryshme të investimit të cilat janë me interes për ta.”
Ky publikim, sipas Vokshit, është në vazhdën e publikimeve të tjera të cilat i bëjnë si zyrë ligjore në fusha të ndryshme. Megjithatë, ai vlerëson se ky publikim është i veçantë për shkak se i dedikohet thirrjes së investitorëve të huaj në Kosovë
“Të gjithë të interesuarit mund të marrin një kopje falas pranë zyrave tona ose të qasen tek i njëjti material falas në linkun në website-in tonë.”
Vokshi & Lata është një nga zyrat kryesore të avokatisë në Kosovë, e fokusuar në asistimin e klientëve vendas dhe ndërkombëtarë në të gjitha fushat e së drejtës tregtare dhe të drejtës biznesore.



Të tjera
Reuters citon Thaçin: Drejtësia për viktimat s’mund të përmbushet duke i dënuar të pafajshmit
Pa 30 nënshkrimet e kandidatëve për president nuk mund të thirret seanca
Ishte gjykim shumë i gjatë, jemi optimistë për rezultat pozitiv